
Von der Leyen dhe plani ‘ReArm Europe’: 800 miliardë euro për mbrojtjen e BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian ka shpalosur planin Rearm Europe, në 5 pika: kredi 150 miliardë, mundësi përdorimi i fondeve të kohezionit. Samiti i jashtëzakonshëm të enjten.
“Ne jetojmë në kohë të rrezikshme, siguria e Evropës është nën kërcënim serioz, pyetja tani është nëse do të jemi në gjendje të reagojmë me shpejtësinë e nevojshme”.
Kështu ka deklaruar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa ka prezantuar planin 5-pikësh të Riarmatosjes së Evropës.
Një plan ky, i cili vjen dy ditë para samitit të jashtëzakonshëm për mbrojtjen që do të mbahet të enjten më 6 mars.
“Ne jemi të gatshëm”, ka thënë ajo, “të rrisim shpenzimet e mbrojtjes, të mbështesim Ukrainën dhe për nevojën afatgjatë për të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë evropiane”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në NATO, ky është një moment kyç për Evropën dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë më shumë”.
Duke folur vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump zyrtarizoi ngrirjen e ndihmës ushtarake të SHBA-ve për Ukrainën (e cila mori duartrokitje nga Kremlini dhe udhëheqësi hungarez Viktor Orban), von der Leyen përshkroi një sërë propozimesh për të forcuar veprimin evropian.
“Ka të bëjë me përdorimin e të gjitha levave financiare në dispozicion për riarmatim, Evropa duhet të investojë masivisht dhe urgjentisht në afatshkurtër dhe afatgjatë”.
Ndër propozimet janë përdorimi i “klauzolës kombëtare” të paktit të stabilitetit për t’i lejuar shtetet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen (në thelb kjo do të thotë të mos llogariten këto shpenzime për qëllime të procedurave të deficitit të tepërt) dhe mundësia, me stimuj, që shtetet të përdorin programe të politikës së kohezionit për këtë qëllim.
Plani, i cili do të bëjë të mundur mobilizimin e deri në 800 miliardë euro në total, përfshin gjithashtu kredi prej 150 miliardë eurosh, në dispozicion të 27 vendeve anëtare.
“Nëse shtetet anëtare rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes mesatarisht me 1.5% të prodhimit të brendshëm bruto, kjo mund të krijojë hapësirë fiskale prej rreth 650 miliardë euro për një periudhë katërvjeçare”.
Dhe më pas BE-ja “do t’u japë 150 miliardë euro kredi vendeve anëtare për investime në mbrojtje” për një total prej 800 miliardë.
“Në thelb ka të bëjë me shpenzimet më të mira dhe shpenzimet së bashku. Ne po flasim për fusha të aftësive pan-evropiane si mbrojtja ajrore dhe sistemet raketore të artilerisë, raketat dhe municionet, dronët dhe sistemet anti-drone. Por edhe për të kënaqur nevoja të tjera nga IT deri te lëvizshmëria ushtarake, për shembull. Kjo do t’i ndihmojë shtetet anëtare të bashkojnë kërkesën dhe të blejnë së bashku”.
“Dhe sigurisht me këtë pajisje shtetet anëtare mund të rrisin ndjeshëm mbështetjen e tyre për Ukrainën. Pra, pajisje ushtarake të menjëhershme për Ukrainën. Kjo qasje e përbashkët e prokurimit do të zvogëlojë gjithashtu kostot. Do të reduktojë fragmentimin, por do të rrisë ndërveprueshmërinë dhe, natyrisht, do të forcojë bazën tonë industriale të mbrojtjes”.
Sipas von der Leyen, “ne në Evropë jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe rolin që ka luajtur në sigurinë evropiane për dekada të tëra”.
“Si Presidente e Komisionit, një nga objektivat e mia kryesore është të kem marrëdhënie të forta me Shtetet e Bashkuara, si në planin dypalësh ashtu edhe përmes G7. Por konteksti në të cilin ne veprojmë po ndryshon në mënyrë drastike dhe dramatike. Themelet mbi të cilat u ndërtua i gjithë rendi politik dhe ekonomik evropian i pasluftës janë tronditur deri në palcë. Dhe kur rendi evropian tronditet, historia na mëson se i gjithë sistemi ndërkombëtar mund të destabilizohet”.
Cilat janë 5 pikat e planit?
Më poshtë janë 5 planet e planit të ReArm Europe:
1-Aktivizimi i klauzolës kombëtare të mbrojtjes së Paktit të Stabilitetit për të lejuar Shtetet Anëtare të shpenzojnë për mbrojtjen edhe nëse tejkalojnë 3% të deficitit.
“Nëse shtetet anëtare rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes mesatarisht me 1,5% të PBB-së, kjo mund të krijojë hapësirë fiskale prej rreth 650 miliardë euro për një periudhë katërvjeçare”, shpjegoi von der Leyen.
2-Nisja e një instrumenti të ri për të dhënë 150 miliardë euro kredi për shtetet anëtare për investime në mbrojtje.
“Në thelb ka të bëjë me shpenzimet më të mira dhe shpenzimet së bashku”.
3-Fleksibilitet në buxhetin evropian për të lejuar ato shtete që dëshirojnë të përdorin programet e politikës së kohezionit për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
4-Mobilizimi i kapitalit privat duke përshpejtuar Unionin e Kursimeve dhe Investimeve.
5-Mobilizimi i Bankës Evropiane të Investimeve për të mbështetur planin e riarmatimit.