Von der Leyen: Duhet ende punë për t’i hequr masat ndaj Kosovës

26 tetor 2024 | 12:50

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për media të shtunën në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se duhet punuar për hapat e mëtejshëm që të arrihet në një pikë ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të binden për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Ajo tha se  bashkë me udhëheqësit e Kosovës janë të përkushtuar për t’i arritur këto qëllime. Ka vlerësuar si hap pozitiv hapjen e Merdarit për kalimin e mallrave serbe.

“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave”.

“Ne të dyja (Von der Leyen dhe Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.

Kurse, Osmani kërkoi heqjen e masave të BE-së për Kosovën.

“Sot kemi nevojë që BE-ja t’i vlerësojë dhe njohë këto arritje. Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet”.

“Heqja e masave është reflektim i nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, por do ishte edhe përgjigje ndaj plotësimit të parakushteve që vetë BE-ja i kishte vënë në raport me Kosovën sa i përket këtyre masave”, ka deklaruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një krim i rëndë ka ndodhur në Malin e Zi,…