Von der Leyen e takon edhe Kurtin, diskutojnë për tri tema
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Në këtë takim, kryeministri Kurti e njoftoi Von der Leyen për avancimin e vazhdueshëm që Kosova po shënon në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, dhe për punën e qeverisë në reformën në drejtësi, përmbushjen e agjendës evropiane dhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Kurti veçoi të gjeturat e raportet ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në shumë fusha.
Sa i përket rrugës së Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti.
Ai ka thënë se ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror sa i Qeverisë ashtu edhe i qytetarëve të Republikës të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE.
Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim u diskutua edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë.
Pas takimit, kryeministri Kurti dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen vizituan së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës.
Falë financimit të Bashkimit Evropian, objekti tani ka një sistem të ri të ngrohjes qendrore ndërkaq Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën Botërore ka investuar në efiçiencën e energjisë së këtij objekti.