Von der Leyen i bën thirrje Shkupit t’i miratojë ndryshimet kushtetuese
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje të enjten Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Von der Leyen u takua me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizitë në Shkup të enjten, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku e përsëriti se zgjerimi i BE-së mbetet një nga prioritetet kryesore të saj.
“Pothuajse jemi aty. Shpresoj se me dialog të përbashkët, të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtarë për përparim. Jam e bindur se mund t’i kapërcejmë barrierat të cilat ekzistojnë”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me Mickoskin.
Maqedonia e Veriut ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja e hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur Shkupin nga paketa e përbashkët me Tiranën.
Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që ta përfshijë në preambulën e Kushtetutës së vendit edhe minoritetin bullgar.
Ky kusht ishte futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”. Opozita, që atëbotë udhëhiqej nga VMRO-DPME, ishte kundër ndryshimeve kushtetuese.
Në zgjedhjet e majit të këtij viti, VMRO-ja doli e para dhe mori udhëheqjen e Qeverisë dhe kryeministri Mickoski e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta rinegociojë “propozimin francez”.
Por, gjatë konferencës me shefen e KE-së të enjten, Mickoski deklaroi se Qeveria e tij mbetet e përkushtuar në rrugën drejtë BE-së dhe se me ndihmën e bllokut “mund të tejkalohet çdo sfidë”.
“Qëllimi ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Jemi të vetëdijshëm se para nesh qëndrojnë sfida të rëndësishme si në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve që mbeten vendimtare për të ardhmen tonë”, tha Mickoski.
Mickoski, duke anashkaluar kërkesën e KE-së për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e minoritetit bullgar në të, tha se Qeveria e tij mirëpret ndihmën e Bashkimit Evropian për të vazhduar procesin e integrimit evropian.
Von der Leyen vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në agjendën e reformave dhe njoftoi se Shkupi do të përfitojë më shumë se 750 milionë euro nga Plani i Rritjes, duke përfshirë këstin e parë prej 52 milionë eurosh, deri në fund të vitit.
“Jini të sigurt që zgjerimi do të mbetet prioritet kryesor për Komisionin Evropian në pesë vitet e ardhshme. Tani i kemi të gjitha mjetet dhe instrumentet e nevojshme për ta mundësuar këtë”, tha kreu i KE-së.
Veç takimit me kryeministrin Mickoski, ajo do të takohet edhe me presidenten e vendit, Gordana Silanovksa – Davkova.
Von der Leyen mbërriti në kryeqytetin maqedonas nga Tirana, ku e kishte nisur turneun e saj në gjashtë vendet e rajonit.
Ndërkohë, të premten ajo do ta vizitojë Bosnje e Hercegovinën, ku në Sarajevë do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe me kryesuesen e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, e pastaj do të niset drejt Beogradit, në takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin Milosh Vuçeviq.
Të shtunën, Von der Leyen do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas kësaj ajo do të qëndrojë edhe në Podgoricë, me çka e përfundon turin rajonal të filluar të mërkurën me vizitën në Tiranë.
Në prag të vizitës së saj, Komisioni Evropian përcaktoi të mërkurën edhe zyrtarisht agjendën e reformave të Maqedonisë së Veriut dhe katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke i hapur mundësi rajonit për qasje në Fondin për Reforma që parasheh një ndihmë prej gjashtë miliardë eurosh.
Bosnje e Hercegovina u përjashtua nga paketa pasi në Bruksel paraqiti një agjendë jo të plotë reformash.