Von der Leyen konfirmon emërimet e reja për komisionarë evropianë
Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka konfirmuar emërimet e dy kandidatëve të rinj për komisionarë: Thierry Breton të Francës dhe Oliver Varhelyi të Hungarisë.
“Presidentja e ardhshme ka intervistuar kandidatët nga Hungaria dhe Franca dhe riafirmoi gatishmërinë dhe aftësinë e të dy kandidatëve, për të shërbyer si komisionarë evropian”, ka thënë Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Për të kompletuar ekipin e Ursula von der Leyen, nevojitet edhe një emërim tjetër nga ana e Rumanisë.
Zëdhënësja Andreeva, ka bërë me dije se presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian u dërgoi një letër kolegëve të saj rumunë, duke u kujtuar atyre “rëndësinë e një propozimi nga ky vend sa më shpejt të jetë e mundur”.
Të propozuarit e rinj duhet të marrin miratimin e Parlamentit Evropian.
Pamundësia për të kompletuar ekipin, ishte arsyeja kryesore që është shtyrë marrja e detyrës zyrtare nga ana e përbërjes së re të Komisionit Evropian më 1 nëntor.
Një datë më e përafërt e fillimit të punës së Komisionit Evropian është 1 dhjetori.