Vonesa dhe përçarje në Kuvend për çështjen e dialogut përgjatë vitit 2018
Të martën, gjatë tryezës së diskutimit “Si të bëhet më efektive mbikëqyrja parlamentare ndaj dialogut Kosovë-Serbi?”, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin mbi atë se si dhe sa e ka trajtuar Kuvendi i Kosovës dialogun Kosovë-Serbi gjatë vitit 2018.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Violeta Haxholli nga KDI-ja, gjatë prezantimit të të gjeturave kryesore të këtij raporti, ka theksuar që çështjet e dialogut Kuvendi i ka trajtuar në seanca më shumë gjatë sesionit vjeshtor, ndërsa gjatë sesionit pranveror dialogu ishte diskutuar kryesisht në kuadër të mbledhjeve të komisioneve parlamentare.
“Procesi i dialogut gjatë pjesës së parë të vitit është zhvilluar në nivel teknik ku fokusi i deputetëve ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të marrëveshjeve, dhe diskutimet se kush duhet ta udhëheqë këtë proces. Ndërsa, në pjesën e dytë të vitit, për shkak të zhvillimeve politike, fokusi ka qenë tek tema e ‘korrigjimit të kufijve’ dhe delegacioni shtetëror e cila vuri në pah ndasitë në mes të partive parlamentare”, ka potencuar Haxholli.
Ajo ka shtuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar lidhur me dialogun në 21 nga 42 seancat e mbajtura përgjatë vitit 2018, në të cilat temat më të diskutuara ishin: ideja e korrigjimit të kufijve, faza e re e dialogut, ekipi negociator, taksa prej 100 për qind, personat e pagjetur, si dhe zbatimi i Marrëveshjes për Energjinë.
Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare të procesit të dialogut, Haxholli ka potencuar që ky funksion nuk është ushtruar sa duhet nga ana e deputetëve, të cilët kanë parashtruar vetëm nëntë pyetje parlamentare lidhur me dialogun, nga gjithsej 275 sa janë parashtruar në përgjithësi, si dhe kanë iniciuar vetëm një interpelancë, nga 12 sosh sa janë iniciuar në përgjithësi.
Në raport me debatet parlamentare, si mekanizëm tjetër për mbikëqyrjen e procesit të dialogut ajo bëri të ditur që janë iniciuar vetëm tri debate parlamentare. Për më tepër janë miratuar edhe tre rezoluta si ajo për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, personat e pagjetur dhe mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar në veri të vendit.
Gjithsesi, dialogu Kosovë-Serbi ka ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe funksionimin e Kuvendit.
Pikëpamjet e ndryshme të subjekteve mbi të ardhmen e këtij procesi ndikuan në thellimin e përçarjeve ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kjo u përcoll me instalimin e praktikave të bojkotit dhe u pamundësua kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e punimeve të Kuvendit.
Haxholli, duke folur për punën e komisioneve parlamentare në raport me procesin e dialogut, bëri të ditur që temat e ndërlidhura me dialogun janë ngritur në 10 për qind të mbledhjeve të mbajtura nga komisionet parlamentare.
Temat më të diskutuara ishin: zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme, lobimi i Serbisë kundër Kosovës, vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe fati i personave të pagjetur.
“Tri komisionet parlamentare të cilat kanë diskutuar më së shumti rreth dialogut janë: Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjik, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal si dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione”, ka thënë ajo.
Puna e Kuvendit për vitin 2018 u përmbyll me miratimin e Rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 15 dhjetor e cila u votua nga 59 deputetë, ndryshe nga pritjet e qytetarëve për delegacion të gjerë politik, të dala nga sondazhet e KDI-së.
Në anën tjetër, deputetët prezentë nga pozita dhe opozita vlerësuan se Kuvendi ka luajtur një rol relativisht të mirë në trajtimin e çështjes së dialogut.
Ata theksuan nevojën për arritje të një konsensusi të spektrit politik lidhur me çështjen e dialogut dhe u pajtuan se Kuvendi duhet të vazhdojë të luaj rolin e tij mbikëqyrës në fazën e re të dialogut.
/Epoka e re/