Vonesa për krijimin e institucioneve nuk i kontribuon momentumit në të cilin ndodhet Kosova
Njohësi i proceseve politike në vend, Albinot Maloku, ka thënë se vonesa për krijimin e institucioneve të reja nuk i kontribuon momentumit në të cilin ndodhet Kosova.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se përgjegjshmërinë e qytetarit të treguar më 6 tetor janë duke e nëpërkëmbur të gjithë aktorët pjesëmarrës, me situatën e krijuar, në këtë fazë të rinumërimit të votave.
Duke folur për ecurinë e diskutimeve në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Maloku ka pohuar se nuk sheh hezitim real nga ana e LDK-së për të mos qeverisur me LV-në si parti fituese e zgjedhjeve.
Ai ka theksuar se tradita që në pazaret politike të hyjë edhe pozita e presidentit duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Sipas Malokut, vendi ka president dhe kjo çështje nuk do të duhej të bëhej çështje për diskutim.
Në këtë intervistë Maloku ka thënë se nga ky proces zgjedhor doli edhe një opozitë e re, e cila, sipas tij, mund të jetë faktori më stabilizues i rrjedhave politike të cilat e presin Kosovën.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)