Vonesa për krijimin e institucioneve nuk i kontribuon momentumit në të cilin ndodhet Kosova
Njohësi i proceseve politike në vend, Albinot Maloku, zgjedhjet e 6 tetorit i ka cilësuar më të mirat e organizuara deri më tani. Ai ka thënë se kultura politike që treguan qytetarët, si gjatë fushatës, po ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, ishte në nivel të lartë, madje për t’u marrë shembull nga qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maloku ka theksuar se hije aspak të mirë këtij procesi po i bën tejzgjatja. “Vonesat për përmbylljen e këtij procesi dhe zgjedhjet e organeve të reja drejtuese të shtetit, pra të Kuvendit e Qeverisë, aspak nuk i kontribuojnë momentumit në të cilin ndodhet Kosova”, ka thënë ai.
Maloku ka shtuar se përgjegjshmërinë e qytetarit të treguar më 6 tetor janë duke e përbuzur e nëpërkëmbur të gjithë aktorët pjesëmarrës, me situatën e krijuar, në këtë fazë të rinumërimit të votave. Duke folur për ecurinë e diskutimeve në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Maloku ka pohuar se është e kuptueshme që këto dy subjekte kanë dallime, madje politike dhe ideologjike, mirëpo thotë se nuk sheh hezitim real nga ana e LDK-së për të mos qeverisur me vendin së bashku me fituesin e zgjedhjeve.
Ai ka theksuar se tradita që në pazaret politike të hyjë edhe pozita e presidentit duhet të marrë fund njëherë e mirë. Sipas Malokut, vendi ka president dhe kjo çështje nuk do të duhej të bëhej çështje në diskutim. Në këtë intervistë Maloku ka thënë se nga ky proces zgjedhor doli edhe një opozitë e re, e cila, sipas tij, mund të jetë faktori më stabilizues i rrjedhave politike të cilat e presin Kosovën.
“Epoka e re”: Z. Maloku, Kosova ende nuk e ka përmbyllur procesin zgjedhor, pos asaj që dimë, radhitjen e partive në këto zgjedhje. Si i vlerësoni ju zgjedhjet e 6 tetorit dhe vonesat që po ndodhin pas kësaj date?
Maloku: Këto zgjedhje mund të cilësohen më të mirat e organizuara deri më tani. Kultura politike që treguan qytetarët, si gjatë fushatës, po ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, ishte në nivel të lartë, madje për t’u marrë shembull nga qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit. Zgjedhjet e 6 tetorit sikur rikthyen besimin te vota dhe mundësia e ndryshimit përmes saj. Por hije aspak të mirë këtij procesi po i bën tejzgjatja, përkatësisht katrahura e krijuar me numërimin e votave. Praktikat me të cilat po funksionon Këshilli Qendror i Zgjedhjeve po dalin jo të mira dhe assesi efikase. Vonesat për përmbylljen e këtij procesi dhe zgjedhjet e organeve të reja drejtuese të shtetit, pra të Kuvendit e Qeverisë, aspak nuk i kontribuojnë momentumit në të cilin ndodhet Kosova. E këtë fazë transitore, përmes një angazhimi maksimal, është duke e shfrytëzuar Serbia kundër vendit tonë. Po e theksoj: përgjegjshmërinë e qytetarit të treguar më 6 tetor janë duke e përbuzur e nëpërkëmbur të gjithë aktorët pjesëmarrës, me situatën e krijuar, në këtë fazë të rinumërimit të votave. Për mua është e dhimbshme të shoh teksa vjen në shprehje presioni dhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar për përmbylljen e procesit zgjedhor të 6 tetorit.
“Epoka e re”: Tashmë po shohim se LV-ja dhe LDK-ja janë në negociata për formimin e qeverisë së re. A mund të arrihet një marrëveshje mes këtyre dy partive, pavarësisht se po shohim deklarata të zyrtarëve të këtyre subjekteve që janë edhe ‘thumbuese’ për njëra-tjetrën.
Maloku: Nisur nga vullneti i treguar i Lëvizjes Vetëvendosje, shumë kohë më parë, për ta pasur si partner koalicioni Lidhjen Demokratike të Kosovës, konsideroj se ato mund të arrijnë një marrëveshje bashkëpunimi. Në anën tjetër, ekziston edhe një arsye e fuqishme e cila i shtynë drejt bashkimit. Ato përbëjnë alternativën që votuesi i ka ofruar skenës politike në vend për të qeverisur. Këtë e them duke u nisur nga premisat kushtetuese për sa i përket të drejtës së subjekteve politike për të qeverisur. Pra, LV-ja e para, si fituese, ndërsa LDK-ja prapa saj, por e vullnetshme për t’u bërë pjesë e qeverisë së re. Duhet sqaruar që në traditën e saj politike LDK-ja kurrë nuk ka pasur ‘jo’ për ofertat qeverisëse, në kuptimin e partneres në kuadër të koalicioneve, vetëm atëherë kur nuk ka pasur vend. Është e vërtetë se prej fillimi të takimeve mes përfaqësuesve të LV-së dhe LDK-së janë këta të fundit që për çdo ditë nxjerrin figura të ndryshme të kësaj partie me vlerësime e konstatime kundërthënëse. Kuptohet se ka dallime, madje politike dhe ideologjike, mirëpo unë nuk shoh hezitim real nga LDK-ja për të mos qeverisur vendin së bashku me fituesin e zgjedhjeve. Në fakt, ajo që bie në sy është tendenca e kësaj të fundit për ta bërë procesin sa më “interesant” me qëllimin që në fund risku i qeverisjes që do ta fitojë ajo, të jetë sa më i madh.
“Epoka e re”: Një prej temave që i ndanë këto dy parti në qëndrime është dialogu me Serbinë. A pritet të ketë qartësim në këtë pikë mes tyre?
Maloku: Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian në formatin e deritanishëm, nuk është se i solli edhe aq Republikës së Kosovës dhe kjo shikuar nga të gjitha rrafshet. Për pasojë, ky format duhet ndërruar. Dhënia e një afati përmbyllës pa analizuar gjendjen në të cilën ndodhet ky dialog dhe çka u realizua mes palëve nga ajo që është nënshkruar apo parafruar, nuk më duket e dobishme për shtetin e Kosovës. Është më se e vërtetë se për këtë dialog nuk pyetet vetëm vullneti i Kosovës ngaqë në të kemi angazhim të shumë palëve, mirëpo nuk besoj se duhet të pranohet gjithçka vetëm sa për ta përmbyllur të njëjtin. Dallimet mes këtyre dy subjekteve politike për dialogun Kosovë – Serbi kanë traditë, mirëpo ashtu siç mund ta dijë LV-ja, se dialogu me formatin aktual nuk i solli edhe aq Kosovës, këtë duhet ta dijë edhe LDK-ja. Të dyja duhet ta gjejnë atë që është më e pranueshmja për Kosovën e të distancohen nga shpjegimet e tyre vetjake për çështjen në fjalë. Roli i tyre si subjekte politike që drejtojnë shtetin e Kosovës është të gjejnë zgjidhje jo vetëm për atë se si t’i qasen dialogut, por edhe si t’i qasen Serbisë, po ashtu edhe lehtësuesit deshtak siç ishte Bashkimi Evropian.
“Epoka e re”: Si e shihni ndarjen e pushtetit në mes të LV-së dhe LDK-së, dhe a mendoni se në këtë pazar duhet të hyjë edhe çështja e presidentit?
Maloku: Nëse këto dy subjekte politike, të cilat i kanë filluar bisedimet për përputhjen e programeve të tyre, e zvarritin procesin e marrëveshjes për shkak të ndarjes së pushtetit, atëherë nuk kemi ndryshim të sistemit të vlerave për të cilën gjë ka nevojë fort ambienti ynë politik. Partitë politike në zgjedhjet e 6 tetorit garuan me emra të shpallur për kandidatë kryeministrash, prandaj vota e vullnetit të votuesve duhet respektuar. Kandidati i LV-së për kryeministër, Albin Kurti, ishte vullneti i qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, për ta drejtuar Qeverinë e vendit, ndërsa e dyta doli të jetë Vjosa Osmani. Mesazhi i qytetarëve ishte se duan figura të reja për drejtimin e vendit. Besoj se të dy subjektet politike si partnerë koalicioni kanë në gjirin e vet personalitete kompetente dhe profesionistë për t’i drejtuar dikasteret qeveritare. Kur flasim për Qeverinë e Kosovës, numri prej 12 ministrash është ideal. Tradita e futjes së pozitës së presidentit në pazare politike besoj se duhet të marrë fund njëherë e mirë. Vendi ka president dhe kjo çështje nuk do të duhej të futej në diskutim. Rekomandimi i kahershëm, që të kemi president të zgjedhur nga populli, vazhdon të ketë vend dhe unë pres që përmes reformës zgjedhore edhe kjo çështje të zgjidhet.
“Epoka e re”: Sa mund të ketë jetëgjatësi kjo qeveri?
Maloku: Për suksesin e Qeverisë së drejtuar nga këto dy rryma të dallueshme politike, pra LV-së dhe LDK-së, nuk mund të flasim me paragjykim, pra duhet t’i shohim e t’i njohim nëpërmjet veprës. Mirëpo, ajo çfarë duhet të ndodhë është që të mos kemi vazhdim të traditës ku Qeveria nuk e përmbyllë mandatin e vet. Kjo gjë po prodhon situata dërrmuese e të padobishme për rrjedhën politike në vend.
“Epoka e re’: Çfarë roli opozitar pritni nga partitë e ish-Panit, PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, sepse edhe kjo e fundit duket se do të mbetet në opozitë?
Maloku: Kur e lavdëruam procesin zgjedhor të 6 tetorit pa dyshim se nuk e larguam nga vëmendja edhe situatën e krijuar me subjektet politike që kanë ngelur opozitë. Nga ky proces zgjedhor doli edhe një opozitë e re, e cila mund të jetë faktori më stabilizues i rrjedhave politike të cilat e presin Kosovën. E kjo, nga fakti se këto subjekte politike si pjesë kyçe e deritanishme e vendimmarrjes shtetërore mund të flasin edhe nga pozita e atyre që i dinë mundësitë dhe vështirësitë e qeverisësit. Partia Demokratike e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve e fitoi rastin t’i vazhdojë reformat e nisura, duke i dhënë potencial më të veçantë në të ardhmen këtij subjekti politik. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mësimin kryesor që ka mundur ta nxjerrë nga këto zgjedhje është që me kokëfortësi nuk mund të arrihet gjithçka. Ata që e provuan fatin disa herë brenda këtij subjekti politik me kandidaturat e tyre dhe përsëri nuk arritën gjë, do të duhej të largoheshin pa u hamendësuar.
Mal Qorraj