Vonesat në zbatimin e obligimeve po i shkaktojnë presion dhe dëm Kosovës
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të jetë i kujdesshëm në raport me ndërkombëtarët. Duke përmendur rastin për Manastirin e Deçanit, Pacolli ka thënë për Ekonomia Online se ekzekutivi duhet t’i përfundojë obligimet pa bërë show medial.
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës shprehet i bindur se implementimi i obligimeve e nxjerrë Kosovën dinjitetshëm nga dialogu.
Kreu i AKR-së konsideron se vonesa në implementimin e Asociacionit është humbje kohe për Kosovën. Thotë se këto vonesa po shkaktojnë presion e dëm ndaj Kosovës.
“Unë do ta rekomandoja Qeverinë e Kosovës të jetë e kujdesshme nëse e ka ndër mend të implementojë diçka siç ka ndodhur me Deçanin, ta bëjë atë pa polemika, pa hyrë në këtë në situata të palakmueshme, e që e vë Kosovën në situatën që është tani në relacion me ndërkombëtarët. Besoj se qeveria duhet ta dijë vetë çka duhet të bëjë dhe nëse është ndonjë obligim që ka ndër mend ta bëjë, ta bëjë menjëherë e jo mbas një show që po më duket është i panevojshëm. Çdo refuzim i implementimit të Asociacionit, është humbje kohe edhe për ne, edhe për Kosovën, se po e shihni se kur Kosova nuk implementon diçka, atëherë koha zgjatet e presioni gjithmonë është i vazhdueshëm mbi Kosovën dhe krejt ky presion që bëhet në një shtet të vogël, në një shtet aq të dijshëm si Kosova, nuk është mirë”, thotë Pacolli.
Pacolli ka pasur kritika edhe për mundësinë e “fshehjes” së pranimit të Asociacionit nga qeveria. Thotë se implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk e pengon pozita, por i kritikon veprimet që po i bën kryeministri Kurti.
“Unë besoj që qeveria ka vendosur për këtë dhe qeveria do ta bëjë këtë. Qeveria është prapë pa kurrfarë nevoje duke kërkuar si t’ia lë emrin Asociacionit. Do të bëhet, se qeveria e di këtë dhe është mirë që zotëri Kurtin të informojë në parlament për veprimet e tij. Unë nuk besoj që dikush e barrikadon, dikush e pengon zotëri Kurtin në implementimin e marrëveshjeve, gjegjësisht obligimeve që janë aty, mirëpo Kurti barrikadohet dhe kritikohet dhe bojkotohet në parlament nëse ai pa kurrfarë paralajmërimi, pa kurrfarë diskutimi, pa diskutuar me opozitën, i bën veprimet e tani vjen edhe arsyetohet”, thotë tutje Pacolli.
Ish-zëvendëskryeministri beson se me implementimin e Asociacionit mund të përfundojë saga e dialogut me Serbinë. Shpreh bindjen se implementimi i këtyre obligimeve e nxjerr Kosovën dinjitetshëm nga dialogu.
“Unë nuk besoj që tani do të ndodhë një ndonjë mrekulli, por sigurisht do t’i bëjnë presion Kosovës që të implementojë disa obligime të cilat janë aty si, p. sh., ajo që ndodhi në Deçan sigurisht edhe për Asociacionin, dhe me implementimin e këtyre obligimeve, do të thotë Kosova është e përgatitur për ta kryer edhe dialogun të dinjitetshëm”, u shpreh Pacolli.