Vonohet presidentja, dështon takimi Osmani-Haradinaj
Ka dështuar takimi i paraparë në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ku pritej të diskutohej për përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky takim ishte planifikuar të mbahej të hënën, pasi presidentja Osmani ta përfundonte takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiu, por takimi kishte zgjatur më shumë sesa që ishte paraparë dhe kjo kishte shtyrë që Haradinaj të largohet nga objekti i Kuvendit.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë me dije se presidentja Osmani është vonuar për takim. “AAK-ja ka qenë e gatshme, kryetari i AAK-së ka shprehur gatishmëri të takohet. Sa kam informacione presidentja është vonuar në takim dhe zoti Haradinaj më të drejtë nuk ka pritur më shumë”, ka thënë Lekaj për “RTV 21”.
Kujtojmë se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka refuzuar të takohet me presidenten Osmani për të diskutuar lidhur me draft-statutin e Asociacionit.
Ndërsa siç ka njoftuar Presidenca, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku, kanë biseduar për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë.
Më tutje, presidentja Osmani me Abdixhikun ka diskutuar për draft-statutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit.
Ndërsa Abdixhiku e ka njoftuar presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së draft-statutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.