Vorret e murtajës

06 prill 2020 | 00:02

Shkruan: Bedri TAHIRI

 Kur qemë barinj, gjithë dita në shkonte nëpër fusha, nëpër kodrina shkëmbore e nëpër male me lloj-lloj drurësh: të shumtën qarri, mllaku e bungu, pa harruar edhe shkozat, ulëzat, thanat, lajthitë e deri te shkëmbëzat që i përdornim edhe për qaj. Jo dita, por thënë  ndryshe, gjithë jeta. Zgjoheshim me gjelat e parë dhe ktheheshim me këngën e hutinit. Ashtu na kishin mësuar më të vjetrit. Të zgjoheshim herët e të flinim vonë. Kush zgjohet herët ia ka dy fate,-na thoshin me një entuziazëm ngazëllues. Dhe, ne, fap brofnim si kecërit këmbëlehtë me të dëgjuar këngën e parë të gjelit.

Kur kishim bagëtitë e ndara, delet ose gjedhët, e kishim më lehtë. Mirëpo, ngjante që  t’i kishim të dyja dhe paskëtaj vaj halli! Delet ecnin shpejt, sa gati duhej vrapuar për t’i zënë a gjedhët shkonin ngadalë,duke mbushur gojën gjerdheve, dhe kjo nuk shkonte fare. Atë ditë na copëtoheshin këmbët…

Mua më binte hise më shumë t’i kullosja delet. Të gjitha i kisha të bardha, vetëm tri të zeza që u thoshim gala. Atyre u printe dashi më brirë të dredhur disa herë rreth veshëve, i cili në qafë e mbante një kambanëtë madhe ngjyrëbakri. Sa interesant, të gjitha të uruarat e mbanin një rregull të pashkruar, ecnin varg e vijë pas ogiçit. Deri në kullosa nuk e ulnin kokën fare. E kur ia nisnin të kullosnin, e rruanin barin fije për fije…

E keqja ishte se ato duhej t’i lëshoja dy herë brenda ditës. Paradreke, që i thoshim mëngezi dhe pasdreke që i thoshin përdite. Kullosat e mëngjesit ndryshonin nga ato të pasdrekës. Të parat ishin më afër shtëpive, ndërkaq të dytat më larg, afër një orë rrugë. Kohën e matnim me hijen tonë, kur ajo binte në tri këmbë, ishte koha për pushimin e mengezit (mes drekës). Të mos harrojmë, qengjat i mbanin ndaras, ata i kulloste gjyshja nëpër ca lëndina afër shtëpive.

Dhe, kështu, na binte ta shkelnim cep me cep territorin që i takonte katundit tonë. Sa gëzoheshim kur ato i kapte vapa e madhe, të gjitha bëheshin grumbull, duke futur kokën njëra nën tjetrën dhe nuk lëviznin fare. Ani, kur na zinte të Lisi i Madh, i cili lëshonte një hije të thellë freskuese. Aty qetësoheshin dhe po t’i lije do të rrinin me orë të tëra.

Nën atë lis trenjakë qarri ishin edhe tri varre disi të çrregulluara që u thoshin Vorret e Murtajës! Sa ishim të vegjël, as që na bënin përshtypje. Ç’na duheshin ne varret! Varret kryesore i kishim më poshtë, nën këmbët e kodrës gjysmë të zhveshur, mbushur me dëllinja. Nëpër to dilte një bari i mirë, me lule të ndryshme joshës, por nuk na lejohej t’i kullosnin bagëtinë. Jo, jo, aty nuk bën të futën as delet, as lopët, e as ne vetë! Madje, në mbrëmje duhej kapërcyer më kujdesshëm pranë tyre, mbi të cilat shpeshherë sikur shkrepte një dritë farfuritëse. Aty ndezën kandilat për shpirtrat të mirë,- na thoshte bariu plak, pas të cilit shkonim të gjithë, sepse ndjeheshim më të sigurt.

-Pse këto tri varre janë ndaras të tjerave dhe quhen Vorret e Murtajës?- e pyetëm një ditë xhaRrahimin, bariun plak që gjithmonë ishte me ne.

-Ehe, bijtë e mi,- ia nisi ai, pasi qe ulurkëmbëkryq midis nesh,- kjo është një histori në vete, e lashtë sa nuk mbahet mend. Më mirë mos të përkujtojmë…

-Jo, jo, tregona,- e lusnim ne si për gjak, siç i thonë një fjale.

-Ore, as unë nuk di shumë, sepse pleqtë tanë nuk na tregonin edhe aq. Edhe atyre u kishin treguar pak të parët e tyre. Por, një gjë dihet, mbi këto troje të bereqetshme u lëshuan i madh e i vogël, nga vendet përreth e më larg. Nuk ka të njehur sa pushtuesi u vërsul mbi ne, për të na shfarosur. Pale, pale, nga njerëzit ia bënim diqysh, po kur na resheshin do sëmundje të rënda, me zor ua gjenim qarën. Na bitisnin të shkretat. Nënat tona me do ilaçe ia dilnin diqysh, por… Një prej tyre ishte edhe murtaja. O Zot, sa na pati shkatërruar ajo e shkretë, na shpjegonin gjyshërit…E asaj kohe është edhe kënga e Qyqes, që ju për ditë i luteni që t’ua numëroj vitet e jetës.

-A e dini të gjithë lutjen?

-Pooo,- ia kthenim ne si në kor dhe ia krisnim:

Qyqe, qyqe, kaladryqe,

                        Pash ty, pash mu,

                        Pash Halilin që  ke burgu,

                        Sa vjet m’i jep me rrnu?

E pra, që ta dini, qyqja ka qenë motër në nëntë vëllezër dhe që të gjithë ia kishte farosur murtaja…Ajo, nuk këndon, por vajton. Ashtu e thotë kënga. Ashtu edhe duhet të jetë, sepse për ne kënga është histori. Edhe këtu janë të varrosur tre burra të katundit tonë, që i kishte mbytur murtaja brenda një dite, andaj quhen Vorret e Murtajës. I kanë varrosurdosido e për ngut, mu këtu, larg varrezave tjera dhe janë shumë, shumë të vjetra…Ka pasur edhe më shumë, por nuk janë ruajtur…Nga ajo kohë lindi edhe mallkimi: Të vraftë murtaja!

Seishin të vjetra, shiheshin. Ata gurë të mëdhenj, në formë rrasash, mezi shquheshin nga myshqet…

-Por, mos harroni, soji ynë është më i fortë së guri. Të gjitha i përballuam dhe mbijetuam. Ka popuj që kanë lindur para nesh, por janë zhdukur e harruar. Ne, hoqëm shumë, përjetuam gjithçka, por rrënjët i kishim thellë nën shkëmbinj, andaj qëndruam dhe mbijetuam,- përfundoi ai, duke na këshilluar që të shpërndaheshin, ngase bagëtitë kishin vërshuar gjithandej kullotave dhe mund ta dëmtonin edhe ndonjë arë me misër…

Dhe, kjo, seçmu kujtua pikërisht këto ditë, kur bota u mbyll në karantinë nga një sëmundje e quajtur Coronavirus!

Obobo, sikur u përsëritkanë gjerat!Që nga lashtësia, gati njësoj: pushtime, luftëra, sëmundje!

Ende sikur më tingëllojnë në vesh fjalët e bariut plak: Soji ynë është më i fortë së guri! Kjo më bën optimist se ne do t’ia dalim më mirë së të tjerët. Të tilla sfida përjetuam edhe shumë herë të tjera, dhe ia dolëm.

Po, po, do t’ia dalim, gjithsesi!

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se…