Vota e qytetarëve si përcaktues kryesor i rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë
Kosova edhe pse ka Ligjin për Barazi Gjinore mjaft të avancuar, i cili garanton barazi ndërmjet gjinive dhe ofron mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në zhvillimin politik, social, kulturor, ekonomik, kjo si duket po mbetet vetëm në suazat e një ligji të mirë.
Ligji nuk po zbatohet sa duhet në praktikë. Pabarazia gjinore në Kosovë është e shprehur në të gjitha nivelet e jetës politike dhe sociale. Përfaqësimi i grave në politikë, sikurse në çdo sferë tjetër mbetet ende në shkallë shumë të ulët. Të gjitha nivelet e pushteteve kanë këtë trend të përfaqësimit të ulët të grave në vendimmarrje. Pozitat e larta drejtuese janë të dominuara në masë të madhe nga burrat.
Ndryshimi i këtij fakti, mund të bëhet vetëm nëse kemi përfaqësim më të madh të grave në jetën politike. Tanimë që jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme nacionale, është një moment mjaft i mirë të bëjmë ndryshim në këtë aspekt dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes votës. Listat zgjedhore të të gjitha partive politike kanë në përbërje gra shumë të zonja, të cilat kanë aftësinë dhe vullnetin për ndryshime pozitive në vend.
Është i rëndësishëm fakti që ne edhe pse kemi pasur shumë pak gra në pozita udhëheqëse në Kosovë, ato kanë treguar lidership, kanë përfaqësuar vendin në mekanizma shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë, dhe ajo që është më e rëndësishmja kanë punuar të ngrisin në karrierë edhe gratë tjera, duke u krijuar atyre hapsirën dhe klimën të shpërfaqin aftësitë e tyre meritore si në sektorin publik edhe në atë privat. Ndërsa në parlament, ato kanë ngritur zërin për çështje lidhur me ndryshim të politikave, në shumë raste më shumë se burrat. Prandaj po t’u jepet rasti më shumë, jam e bindur që do të kenë ndikim edhe më të madh në përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave në Kosovë dhe gjithë jetës politike e sociale në vend.
Përfshirja e grave në jetën publike është e drejtë e tyre e garantuar përmes Kushtetutës dhe detyrë e jona si shoqëri, duke e ditur faktin që po flasim për gjysmën e popullsisë të cilat meritojnë t’u dëgjohet zëri, dhe të japin kontributin e tyre me vendimmarrje.
Pra, ndryshimin mund ta bëjmë ne përmes votës. Në fund të fundit, çfarëdo liste zgjedhore që zgjedhni për të votuar, të votojmë më shumë gra, jo për faktin se janë gra por sepse janë meritore me plot kuptimin e fjalës!
Rreze Xhemajli (Master i Shkencës Politike)