Vota është arma më e fortë për të mposhtur antivlerat

29 janar 2025 | 13:13

Shkruan: Astrit Gashi

Në këtë vend ka një rregull të pashkruar: sa më shumë të kesh shitur veten, aq më shumë të quajnë patriot. Sa më shumë të kesh bërë pazare me historinë, aq më shumë të trajtojnë si shpëtimtar. Por ne nuk mund ta pranojmë këtë. Historia nuk është një mall që mund ta rishkruajë kushdo sipas nevojës.

Dje je vonuar, sot është vonë!

Unë nuk kuptoj “Zdravo – Pronto- Hello – Merhaba”, por vetëm shqip “Tungjatjeta”! Nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem kurrë aleat me ata që minuan vullnetin politik të shqiptarëve, me ata që ndërtuan karrierën duke shpikur afera fantazmë, me ata që manipulonin të vërtetën për të mbrojtur karriget e tyre.

Nuk mund të hesht kur përpjekjet për të zbardhur të kaluarën zëvendësohen me narrativa të rreme, ku viktima dhe agresori përzihen qëllimisht për të krijuar një histori të re, një histori që u përshtatet atyre që dje ishin në anën e gabuar. Nuk mund të hesht kur ata që dikur ishin pengesë për lirinë sot paraqiten si shpëtimtarë, ndërsa ata që dhanë gjithçka për këtë vend sulmohen dhe denigrohen.

Patriot ditën, biznes me armiqtë natën – kjo lojë nuk dhez më!

E kemi parë këtë skenar shumë herë. Ata që dje bënin pazare kundër interesit kombëtar, sot dalin e japin leksione patriotizmi. Ata që dikur heshtën përballë padrejtësisë, sot sillen si shpëtimtarë të popullit. Ata që dikur bashkëpunuan me ata që deshën ta shkatërrojnë këtë vend, sot pretendojnë se po e mbrojnë. Hipokrizia ka arritur kulmin!

Por historia nuk fal. Historia nuk harrohet dhe, mbi të gjitha, historia nuk blihet me para! Nuk ka pajtim pa drejtësi. Nuk ka unitet duke mohuar të vërtetën. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja mbi gënjeshtra dhe manipulime. Nuk mund të lejojmë që heronjtë të trajtohen si fajtorë, ndërsa ata që i shantazhonin dje, sot të paraqiten si viktima.

Boll më! Nuk mund të bëheni lavatriqe të askujt!

Dje, viktima që dikush deshi ta “vriste”. Sot, patriot që shitet si i persekutuar. Nesër, “shpëtimtar” i kombit. Jo! Kjo lojë ka marrë fund.

Koha për heshtje ka mbaruar. Koha për të vërtetën ka ardhur. Dhe kushdo që përpiqet të fshehë të kaluarën, kushdo që bën pazar me historinë, kushdo që shitet e blihet për interesa personale, do të dalë në dritë.

Dikush po mendon se ky popull është analfabet funksional! Jo, jo! Por heshtja jonë vret. Prandaj jemi ku jemi!

Ende është në dorën tonë t’i eliminojmë me votë. Sot kemi mundësinë, nesër është vonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emrush Çeta 26 vjet më parë në Rugovë të Hasit…