Vota pro rezolutës lë Shqipërinë jashtë festës së SHBA-së
Ambasadorja shqiptare në OKB nuk është ftuar në festën e organizuar nga homologia amerikane, pas votës mbështetëse për rezolutën që kundërshtonte qëndrimin amerikan për Jerusalemin
Ambasadorja shqiptare në OKB, Besiana Kadare nuk është e ftuar në festën e Nikki Haley. Në festën e ambasadores amerikane, në datën 3 janar, janë të ftuar vetëm ata diplomatë, që me votën kundër rezolutës, abstenimin apo mospjesëmarrjen në votim mbështetën Shtetet e Bashkuara.
Shqipëria votoi pro rezolutës, e cila ndër të tjera thotë:
“Rezoluta pohon se çdo veprim dhe aksion që synon ndryshime në statusin e qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk ka asnjë efekt ligjor, është i pavlefshëm dhe duhet të shfuqizohet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Prandaj, kjo u kërkon shteteve të përmbahen nga vendosja e misioneve diplomatike në qytetin e Shenjtë të Jerusalemit”.
Përpara votimit, ambasadorja amerikane bëri këtë deklaratë:
“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, organizmi më i madh në botë. Do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të perdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, deklaroi ambasadorja Haley.
Rezoluta kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-të u votua me një shumicë dërrmuese prej 128 votash pro, 9 kundër dhe 35 abstenim.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë preferoi të mos komentonte votën e Shqipërisë, por në deklaratë tha se vendimi i presidentit Trump afirmoi realitetin e tanishëm dhe historik të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, dhe se Shtetet e Bashkuara pranuan të vërtetën e thjeshtë se Jeruzalemi është qendra ku ndodhen Parlamenti, Kryeministria dhe Gjykata e Lartë e Izraelit.
Sipas deklaratës së Ambasadës amerikane në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë punën e tyre për paqen me shpresën se ky proces do të ofrojë rezultatin më të mirë, si për popullin izraelit, ashtu edhe për atë palestinez.
Por presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se nuk do të pranojë asnjë plan amerikan për paqen me Izraelin, pasi njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Udhëheqësi palestinez theksoi se Uashingtoni ishte treguar një negociator i pandershëm në procesin e paqes.
Tone pozitive vijnë ndërkohë nga Izraeli, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që tha për CNN se shumë vende po konsideronin zhvendosjen e ambasadave të tyre në Jeruzalem, në vazhdën e vendimit të Donald Trumpit për ta bërë diçka të tillë.