![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/02/vv-1.jpg)
Votat e diasporës ‘përplasin’ Vetëvendosjen dhe PDK-në në mbledhjen e KQZ-së
Kërkesa që të krijohet një komisioni për përcjelljen e postave nga jashtë Kosovës, ka shkaktuar përplasje në mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ-së, Sami Kurteshi, ka thënë se votat duhet të mbërrijnë në kutinë postare të KQZ-së.
“Duhet të vendosim për çështjen e parë e cila është marrja e një vendimi për krijimin e një komisioni që përcjell postat jashtë Kosovës, si dhe caktimi i datës para ditës së zgjedhjeve për pranimin e postave deri në orën 19:00”, ka thënë Kurteshi.
Ndërkohë, përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani dhe kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, kanë thënë se votat duhet të mbërrijnë në “Fahun Postal”, Posta numër 6, pasi sipas tyre, ashtu parasheh ligji.
Po ashtu, përfaqësuesi i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, lidhur me këtë adresim për postat e shpejta, ka thënë që adresa e fundit është “Fahu Postal”.
“Adresa e fundit është Fahu Postal, posta më e shpejtë dhe çdo votë duhet të shkojë, pra posta numër gjashtë”, ka thënë Hamiti.