Votat e “Romani Iniciativa”, Berisha ankohet në Kushtetuese
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me votat e partisë “Romani Iniciativa” në vendbanimet e komunitetit me shumicë serbe në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Berisha pret që Gjykata Kushtetuese të veprojë në formën më të shpejt të mundshme, pasi sipas tij, dëmet që iu janë shkaktuar komunitetit egjiptian janë të mëdha.
“Unë pres dhe besoj fuqishëm në profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese që përfundimisht këtë dukurinë e orkestrimit dhe këtë tendencën me marrë Lista serbe shtetin e Kosovës në ‘dorë’, besoj që Gjykata Kushtetuese do ta jep fjalën e fundit”, ka thënë ai.
Ish-deputeti Berisha që po i konteston votat e deputetit Fadil Gashi nga “Romani Iniciativa”, thotë se po e kundërshton vendimin e Gjykatës Supreme dhe të PZAP-së, për faktin që ai vendim ka qenë i mangët, i një anshëm dhe i padrejtë ndaj egjiptianëve.