Votat për Adriana Hoxhiq, delegjitimojnë vendet e garantuara për boshnjakë
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, ka thënë se votat e Adriana Hoxhiqit delegjitimojnë vendet e garantuara për boshnjakë.
“Nëse i lexojmë votat e subjekteve politike boshnjake nder vitet zgjedhore, shohim trend të rritjes apo dhe mbetjes së votave në të njëjtat përmasa, prej zgjedhjeve të vitit 2014 e deri në zgjedhjet e vitit 2019. Përjashtim bëhet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 për dallim nga viti zgjedhor 2019, kur votat jo nga ky komunitet por për përfaqësuesit e këtij komuniteti rriten për 26%”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se iniciativa e re politike Ujedinjena Zajednica Adrijana Hodzic, e cila ka garuar për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021, ka arritur të fitojë 6 739 vota gjithsej.
“Deri këtu mund të konsiderohet gjithçka në rregull, por, ajo çka i bën të diskutueshme dhe për besimin tim kundër frymës kushtetuese, është se afër 87% të këtyre votave i ka marrë në komunat me shumicë serbe, ku s’ka ose ka pak shtrirje demografike të komunitetit boshnjak. P.sh. vetëm në komunën e Leposaviqit, ajo ka marrë rreth 1 129 vota, ose në komunën e Kllokotit në regjistrimin e popullsisë s’ka asnjë boshnjak të regjistruar, ky subjekt politik ka marrë 248 vota. E deri sa p.sh. në komunat si Prizreni e Peja ku është numri më i madh i boshnjakëve që jetojnë, ajo s’ka arritur të marrë as 1% të votave nga ky komunitet”, ka shkruar Kryeziu.
Ai ka theksuar se krejt ky proces delegjitimon përfaqësimin e komunitetit boshnjak dhe arsyen e ulëseve të garantuara për t’u përfaqësuar komuniteti boshnjak.
“Përveç qe kjo është shkelje e frymës kushtetuese, për vendet e garantuara për komunitete, ky fenomen krijon precedant për subjektet e mëdha politike, të cilat në zgjedhjet e ardhshme munden ta tjetërsojnë vullnetin e komuniteteve përfshi dhe atë serb, përmes votave të tyre të orientuara të cilat do t’i shpërndajnë tek satelitet e tyre”, ka thënë Kryeziu.