Deri në vitin 2030, energjia elektrike e gjelbër duhet të përfaqësojë 42.5% të konsumit të energjisë, krahasuar me 32% deri tani.
Parlamentarët e mbledhur në Strasburg ranë dakord që deri në vitin 2030, pjesa e energjive të ripërtëritshme të përfaqësojë 42.5 për qind të konsumit të përgjithshëm. Sipas ligjit të ri, centralet me panele diellore ose me turbinat me erë duhet të autorizohen shumë më shpejt.
Në të ashtuquajturat zona prioritare, autoritetet duhet të autorizojnë instalime të reja brenda një viti. Jashtë këtyre zonave, procedurat nuk mund të zgjasin më shumë se 24 muaj. Në mungesë të një përgjigjeje nga autoritetet, një investim në energjinë e gjelbër në një zonë prioritare do të konsiderohet drejtpërdrejt i miratuar.
“Direktiva e Energjisë së Ripërtëritshme tregon se Brukseli mund të jetë gjithashtu pragmatik dhe jo burokratik,” tha raportuesi Markus Pieper (PPE), përgjegjës për ligjin në Parlament. Zëdhënësi i klimës i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Michael Bloss, foli për një “revolucion”. “Ne po çlirojmë kështu energjitë e ripërtëritshme nga zinxhirët e burokracisë.”
Deri tani, objektivi i BE-së për pjesën e energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2030 ishte 32 për qind. Aktualisht, pjesa e energjisë së ripërtëritshme në konsumin e energjisë së Bashkimit Evropian është rreth 22 për qind. Në Gjermani, kjo përqindje ishte 20.4% vitin e kaluar, sipas të dhënave të Zyrës Federale për Mjedisin.
Në Parlamentin Evropian, 470 eurodeputetë votuan pro rritjes së zhvillimit deri në vitin 2030, me 120 vota kundër dhe 40 abstenime. Vendet anëtare të BE ende duhet ta miratojnë projektin. Por kjo konsiderohet si një formalitet.
Ndryshimi i ligjit është pjesë e paketës së BE për mbrojtjen e klimës, e cila synon të reduktojë emetimet e gazeve serrë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me 1990./DW/