Votën për Malësinë ua kemi borxh fëmijëve tanë
Nga: Agron Dedivanaj, sekretar i Shoqatës “Jehona e Malësisë”
Zgjedhjet lokale në Malësi janë vetëm pak javë larg, dhe retorika dhe temperatura politike është rritur dukshëm. Kjo duket në faqet elektronike, në aktivitetet elektorale të subjekteve politike, në debate dhe diskutime brenda dhe jashtë Malësisë.
Shtrohet pyetja se pse këto zgjedhje janë kaq jetike për të ardhmen e vendit?
Partitë politike mund të bëjnë shumë përgatitje politike, mediat mund të përpiqen të fabrikojnë propaganda të shumëllojshme, mund të bëhen monitorime të ndryshme, por këto nuk mund të bien rezultate konkrete të zgjedhjeve.
Vetëm ju votues malësor mund të përcaktoni të ardhmen e ndritur për Malësinë dhe qytetarët e saj. Vota juaj simbolizon fjalën tuaj të lirë, simbolizon ëndrrat tuaja, simbolizon fatin e jetës dhe fëmijëve tuaj.
Ky është një mësim demokratik që çdo malësor duhet ta ketë para sysh kur i drejtohet kutisë së votimit të 5 Marsit.
Misioni i çdo malësori në këto zgjedhje duhet të jetë dalja në votime, hedhja e votës dhe mbrojtja e saj.
Çdo votues që zgjedh të mos votoj Forumin e Bashkimit të Partive Shqiptare, i bënë një nderë gjithë atyre që nuk u bëhet vonë për Malësorët, pasi që Malësia për ta nuk është e Malësorëve, është e tyre.
Nuk ia keni borxh vetëm vetes apo historisë, ia keni borxh fëmijëve tuaj që nuk duhet të rritën nën okupimin e një pushteti të huaj, por nën udhëheqjen e administratorëve shqiptarë dhe të lirë.
Zgjedhjet e 5 Marsit janë midis Bashkimit të Partive Shqiptare që duan të ndërtojnë demokraci dhe atyre që duan të shohin dështim, atyre që duan drejtësi dhe atyre që ushqehen me krim, atyre që u dhimbset Malësia dhe Shqiptarët dhe atyre që nuk u bëhet vonë as për familjen e tyre, atyre që duan ta shohin Malësinë e varfër dhe atyre që duan ta shohin Malësinë e ngritur për nga ekonomia, kultura dhe arsimi, atyre që duan të punojnë e ndërtojnë me djersën e tyre dhe atyre që duan të pasurohen mbi fatkeqësinë e malësorëve.
Para katër vitesh keni qenë ju që i keni jetuar dhe vuajtur të gjitha, keni qenë ju që keni përtypur dhe ripërtypur propagandën e të gjitha organeve dhe censurave të ndryshme, keni qenë ju që jeni përballur me premtime boshe dhe gënjeshtra dita për ditë.
Prandaj edhe kësaj here sikurse herën e fundit, nuk keni nevojë të dëgjoni as njeri, pasi keni qenë ju vetë që e keni përjetuar punën, suksesin, aktivitetin, mbështetjen tuaj, ndërtimin e vendit, ngritjen e nivelit kulturor, edukativ, arsimor, të ombrellës së bashkimit të partive dhe krejt administratës shqiptare si një shembull i suksesit edhe për krejt rajonin.
Shkoni drejt kutive të votimit dhe votoni vetveten, ndërgjegjen tuaj, identitetin tuaj.
Zgjedhjet e 5 marsit vetëm ju mund t’i humbni dhe vetëm ju mund t’i fitoni.