Votimi do vëmendje të veçantë!
Hasan Mujaj
Vendin parësor e persuasiv në konkurrencën zgjedhore duhet ta kenë temat që kanë të bëjnë me zhvillimin real ekonomik të shtetit, me sigurinë, me projektet që mund të realizohen që të ngrihet standardi i jetës së qytetarëve, që të hapen vende të reja të punës, sidomos për të rejat dhe të rinjtë etj.
Së pari të bëhet vlerësimi i kandidateve/ kandidatëve për deputetë, e pastaj votimi. Dy veprime të rëndësishme. Tejet të rëndësishme për shtetin. Për të gjithë qytetarët. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve (e vlerësimit dhe votimit ) do të formohen institucionet më të larta drejtuese të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, si kriter themeltar i votimit duhet të jetë aftësia e konkurrentëve për t’i përfaqësuar kërkesat e drejta të zgjedhësve si dhe përkushtimi për t’i kryer me përpikëri detyrat e tjera të deputetes/deputetit.
Retorika politike në Kosovë është në shkallë shumë të ulët sa u takon përbërësve të ndërtimit të saj. Po qe se ndiqen fjalimet politike të liderëve partiakë, të ministrave, të deputetëve etj. do të mund të vihet re mungesa e madhe, shumë e madhe e formimit retorik. Prandaj, mund të thuhet me të drejtë se ata (liderë, deputetë, ministra etj.) gabimisht kanë hyrë në politikë sepse nuk kanë përgatitje as teorike, as praktike nga retorika politike, as nga politolinguistika, as nga shkencat e tjera të komunikimit. Kanë hyrë në politikë jo se kanë themel përgatitjeje për të dhënë kontribut në këtë fushë të rëndësishme të veprimtarisë publike, porse kanë hyrë nga fakti për të arritur ndonjë përfitim material ose poste të larta politike.
Dituria nga retorika politike është mjeti kryesor i zhvillimit të veprimtarisë së oratorit pa të cilin (mjet) nuk mund të jetë efektiv në rolin e politikanit të suksesshëm. Pasi është kështu, pra, pasi shumë politikanëve u mungon ky mjet (kultura retorike), është plotësisht e qartë se nuk mund ta kryejnë si duhet obligimin ndaj qytetarëve, ndaj votuesve e ndaj institucioneve të shtetit sepse nuk dinë ta shprehin në fjalim, në diskutim, në debat, në intervistë e forma të tjera të komunikimit publik as atë që e mendojnë. Nga ky këndvështrim s’është habi që politikanët e këtillë, pa njohuri retorike, ndjekin dy rrugë: 1. kush të përpiqet të flasë e të bjerë komik në publik nga deficiti retorik dhe 2. kush të heshtë, vetëm të dëgjojë sepse detyrohet të jetë pasiv nga mungesa e forcës së fjalës dhe nga kufizimi i kulturës gjuhësore për ta shtënë atë (fjalën) në funksion tekstëzimi të komunikimit të fjalimit publik.
Në kohën antike, zyrtarëve të lartë të qyteteve/ shteteve, fjalimet e të cilëve nuk i plotësonin kriteret gjuhësore, sidomos në aspektin stilistik, u merrej e drejta e paraqitjeve me fjalimet zyrtare në foltoret publike.
Përkitazi me këtë ç’u tha më lart, mund të kuptohet shumë qartë edhe nga ky citat i prof. dr. Arshi Pipës, i cili, me shumë arsye, kishte shkruar: ‘’Gjuha asht mjeti i shprehjes. Po të mos jetë mjeti i përsosun, asht e dijtun, vepra nuk del e mirë. Qysh mund të dali e bukur nji shtatore kur dalta asht e paprehun.’’(Arshi Pipa, Kritika, Tiranë, 2006, f. 35). Me metafora të ekspresivitetit të lartë prof. Pipa shpreh rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka gjuha (dalta) për të ndërtuar tekstin (shtatoren). Ky mendim i prof. A. Pipës është me vlerë të përhershme. Të mbahet parasysh, në kontekste të këtilla, edhe thënia e shkurtër e Sokratit nga ndërtimi, por e gjatë nga kuptimi: “Njihe veten! ” Nga porosia e Pipës duhet të mësojnë të gjithë ata që nuk e zotërojnë mirë gjuhën standarde, nuk janë për foltore!
Deficiti i kulturës gjuhësore
Kjo mungesë është e pranishme te pjesa dërrmuese e zyrtarëve të lartë të shtetit. Mirëpo, për zyrtarët e lartë të këtij formati, të qenët pasivë në detyrën e besuar, nuk është shumë e rëndësishme. Relevante është për të zënë një pozitë të lartë të punës, paga e mirë dhe, a është kandidatja kompetente ose kandidati kompetent për atë vend pune, është irelevante! Ironi e kohës. Filozofi gjerman Jurgen Habermas, ndër të tjera, tha: “Gjuha nuk është pronë private që, zyrtarisht, të përdoret si kush të dojë.”
Edhe Mark Tul Ciceroni, retori me zulmë botërore, la porosinë me domethënie të gjithëkohshme në këtë aspekt: “Njeriu definohet nga gjuha që e flet.”
Oratorët e kësaj kategorie nuk dinë të diskutojnë ngase qëndrojnë në deficit të madh sa i takon kulturës gjuhësore, prandaj, duke mos pasur leksik të mjaftueshëm fjalësh në ndërdije për të ndërtuar e modifikuar tekstin e fjalimit të mendimit politik, kalojnë në frazim në gërnja e fyerje, në sharje e madje edhe në sulme fizike ndaj njëri-tjetrit edhe përpara medieve pamore e të shkruara përmasash botërore, të cilat (sulme) krijojnë skena të neveritshme, degraduese e anarkike për shtetin, për partitë politike dhe për institucionet shtetërore që i përfaqësojnë ( p. sh. deputetët e Kuvendit të Kosovës) etj.
Autorët e fjalimeve dhe të diskutimeve, sidomos të natyrës politike, sikundër vihet re nga fjalimet e tyre, del e kuptueshme se nuk lexojnë literaturë përkatëse, nuk përgatiten për ta trupëzuar mendimin sipas kritereve shkencore të retorikës në të cilat (kritere) vendin qendror e zënë: aspekti përmbajtësor i temës dhe formulimi gjuhësor i ekspozimit të fjalimit etj. Paraqitjet e mendimeve të zyrtarëve të shtetit duhet të mbështeten edhe në dijen e politolinguistikës, e cila ka shumë kohë që është themeluar si shkencë e re dhe ndjek hulumtimin shkencor të zhvillimit të komunikimit politik në të dy format e shprehjes: gojore e shkrimore. Ajo (politolinguistika) është shkencë empirike e linguistikës aplikative; ajo integron përbërës të disiplinave shkencore të gjuhësisë dhe të dijeve të politikës. Zhvillimi i saj zuri fill e mori shtrirje të gjerë në vitet e 90-ta të shek. XX në hulumtimet e studimet e filologjisë gjermane në krye me studiuesin A. Burkhardt si analizë kritike e gjuhës politike dhe, nga dijetarët e shkencave të bashkërenduara, u kualifikua si shkencë e ndërlidhur- dyjare dhe u vu midis linguistikës e politologjisë.
Studiuesi gjerman i shkencave të komunikimit, Armind Burkhardt, përkitazi me gjuhën e politikës, shkruan: “Jeta e politikanit është të flasë, të shkruajë dhe të lexojë.” Aksiomë. Nuk është secila, secili për foltore. Kriteri i dijetarit gjerman nuk përfillet në Kosovë. Jo. Ky veprim u pa edhe nga listat e votimit për deputetë në të cilat u futën emrat e shumë deputetëve të deritashëm që, siç është parë nga veprimtaria e tyre e mëparshme si deputetë, nuk dinë të diskutojnë, sepse fjalori i tyre është shumë i ngushtë, i varfër, andaj është e kuptueshme se edhe performanca e fjalimit të tyre do të jetë e këtillë nga mungesa e kompetencës.
Kandidatet e kandidatët e këtij niveli nuk do të duhej as të figurojnë në listat votuese, as të votohen. Megjithëkëtë, vihet re se liderët e partive politike nuk kanë qenë të kujdesshëm sa është dashur të jenë në përzgjedhjen e kandidatëve. Habi e madhe! Ata (liderët) dhe kryesitë e partive politike, nga listat e paraqitura të kandidatëve, mund të kuptohet sikur nuk janë të interesuar për të sjellë emra të rinj në listat zgjedhore, për të sjellë forca të reja krijuese e freskuese. Bënë risi shumë të vogël!
Nga ky këndvështrim mund të krijohet përshtypja se në ndonjë parti politike ende janë të pranishme gjurmët e partisë komuniste sipas të cilave lideri dhe kryesia kishin mandat të përhershëm!
Vite të tëra – deputetë!
Edhe kësaj here, në disa parti politike, u futën emra të njëjtë që me vite të tëra janë deputetë, mbase i kanë vendet e rezervuara! Veprim për qesëndi e dyshim!
Strukturat partiake, komunale e qendrore, gjatë fushatës zgjedhore, duhet të jenë shumë aktive në terren për t’iu folur qytetarëve për rëndësinë e zgjedhjeve dhe për pjesëmarrjen në votim në mënyrë masive, sidomos nëse e kërkojnë ndryshimin e qeverisjes së shtetit.
Aktivistët e partive politike duhet t’iu flasin votuesve për t’i votuar më të mirët, për t’i vlerësuar e analizuar kandidatët se cili ka përgatitjen e duhur për të dhënë kontributin më të çmueshëm në avancimin e proceseve të zhvillimit ekonomik, arsimor, kulturor, sportiv, politik etj. në favorin e përforcimit të institucioneve të shtetit të Kosovës.
KQZ-ja, tok me instanca të tjera, duhet ta shtrijë veprimin në forma të ndryshme edhe në terren për t’i orientuar e mësuar votuesit edhe për anën teknike të votimit nga fakti se në zgjedhjet parlamentare të njëmbëdhjetë qershorit 2017 pati me mijëra fletëvotime të pavlefshme.
Votimi është obligim ligjor, është obligim kushtetues, demokratik, etik dhe shtetëror. Ai është akt vendimtar për të formuar institucione legjitime që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve për ta drejtuar dhe për ta zhvilluar shtetin me arritje të reja. Për këtë arsye, në shtetet më të zhvilluara dhe me demokraci të mirëfilltë, këtij procesi (votimit) i kushtohet vëmendje e posaçme nga institucionet përkatëse, por edhe nga qytetarët dhe zyrtarët kompetentë të vendit.
Vendin parësor e persuasiv në konkurrencën zgjedhore të shteteve me traditë të gjatë demokratike e zënë temat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të shtetit, me sigurinë, me projekte të realizueshme që të ngrihet standardi i jetës së qytetarëve, që të hapen vende të reja të punës etj.
Këto tema duhet ta kenë vendin e parë dhe më të rëndësishëm edhe në fushatën zgjedhore të Kosovës.
Por, në Kosovë, në fushatën parazgjedhore, sikundër mund të shihet nga praktika, vendin qendror në fjalimet e disa liderëve dhe të poltronëve të tyre nuk e kanë projektet me interes për jetën e qytetarëve, porse mbizotëron propaganda me premtimin shterpë, me akuzat dhe etiketimet për oponentët politikë, shpeshherë edhe me shpifje e trillime të ndryshme, me fjalimet panegjirikë që u referohen liderëve të partive politike edhe pse pa ndonjë meritë avancimesh të reja etj. Kjo veprimtari quhet demagogji.
Nga teoria në praktikë
Por, dështimet dhe shpërdorimet e mëdha të qeveritarëve nuk duhet t’i harrojnë qytetarët që po i pësojnë rrjedhojat stagnuese sa i përket zhvillimit ekonomik dhe varfërinë gjithnjë e më të madhe të jetës së tyre. Ekziston një shpërpjesëtim shumë i madh midis teorisë dhe praktikës në fjalimet e shtetarëve: ekonomia e Kosovës po përparon vetëm teorikisht, por po vendnumëron praktikisht. Në shtetet me demokraci të zhvilluar dhe të stabilizuar, shpagimi i dukurive të këtilla antiligjore, sanksionohet edhe me votat e qytetarëve. Tani është koha që kështu të veprohet edhe në Kosovë.
Votimi nuk është veprim i lehtë. Ai kërkon njohje, meditim, analiza dhe vlerësim; ai kërkon angazhim të thukët për të gjitha shtresat e shoqërisë në mënyrë që të ngrihet kultura demokratike, e cila do të zhvillonte vetëdijen se duhet të çmohet dhe të votohet vlera dhe jo antivlera, të votohen flijimi e kontributi i astritëve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, për shtetin sovran etj.
Shteti duhet të vihet mbi interesin privat të secilit. Ky është kriter i demokracisë, përfillja e të cilit nuk do të lejonte që të vërshojnë shpërdorimet e ndryshme dhe veprimet anarkike; për këtë është më se i mbëhishëm edukimi demokratik që të mos gjejnë terren shtrirjeje dukuritë negative si: korrupsioni, nepotizmi, antivlera, interesi, përfitimi privat etj. Dhe, përderisa nuk luftohen këto dukuri, është e kuptueshme që në institucionet e larta të shtetit do të emërohen njerëz të paaftë, se do të propozohen e do të votohen për deputetë njerëz që nuk dinë të flasin as të shkruajnë si duhet në gjuhën amtare madje kanë vështirësi të mëdha për ta gjuhëzuar mendimin, se lejohet e mundësohet të futen në politikë njerëz pa kapital elementar politik e retorik, se propozohen e votohen kandidatë për deputetë, të cilët nuk kanë njohuri elementare nga zhvillimet më të thjeshta të politikës së brendshme të shtetit, porse votohen për favore private etj.
Dhe, qytetari ynë i voton njerëzit e këtillë sepse voton sipas sugjerimeve të të tjerëve, voton pa e ditur rëndësinë e votimit dhe pa e vlerësuar kandidatin; për ta votuar dikë, duhet ta vlerësosh lart të kaluarën dhe të sotmen e tij, biografinë dhe kontributin e deritashëm të tij etj. Vota duhet të jetë autonome, e lirë dhe pa ndërhyrje. Kjo është e drejtë ligjore. Kjo duhet t’u bëhet e qartë të gjithë qytetarëve. Fjalimet në fushatën zgjedhore duhet të karakterizohen nga retorika e përzgjedhur dhe korrekte, nga fjalori selektiv, kulturor, estetik dhe etik. Ato duhet të jenë në përpjesëtim me realitetin e të zbatueshme dhe jo premtime utopike.