Votimi i të infektuarave me Covid, KQZ-ja angazhon 416 persona
Në ditën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të angazhojë 104 ekipe mobile të cilat do të shkojnë në shtëpitë dhe banesat e qytetarëve me të drejtë vote, të cilët për shkak se janë të prekur nga Covid-19 nuk do të mundet të shkojnë në vendvotimin e tyre.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se secili ekip do të përbëhet nga katër anëtarë, tre prej të cilëve janë përfaqësues të subjekteve politike, ndërsa anëtari i katërt do të jetë zyrtar shëndetësor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së diele do të angazhojë gjithsej 104 ekipe mobile, pra të cilat do të dalin në terren, do të shkojnë në adresat e qytetarëve me të drejtë vote, por të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me Covid-19 dhe që nuk do të munden të shkojnë në vendvotimin e tyre për shkak të masës kufizuese, sepse pra duhet të qëndrojnë në karantinë shtëpiake. Pra, janë gjithsej 104 ekipe lëvizëse që do të shkojnë nga njëra adresë në tjetrën dhe secila prej tyre përbëhet nga 4 anëtarë”.
“Numri i përgjithshëm i personave që përbëjnë ekipet mobile janë 416, të cilët gjatë ditës së zgjedhjeve do të angazhohen vetëm për realizimin e votimit për këtë kategori të votuesve. Secili ekip mobil përbëhet nga 4 anëtarë, 3 do të jenë përfaqësues të subjekteve politike, ndërsa anëtari i katërt është zyrtar shëndetësor me qëllim të këshillimit profesional të këtyre ekipeve të KQZ-së”, ka thënë Elezi për “EO”.