Votimi me postë nis nga 2 shkurti

31 janar 2021 | 16:32

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se duke filluar nga 2 shkurti, të gjithë votuesit nga jashtë që regjistrohen të suksesshëm mund të votojnë përmes postës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë me dije se fletëvotimet do të pranohen deri më 12 shkurt.

“Të gjithë qytetarët që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 shkurt. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt”, ka thënë Elezi në një konferencë për medie të dielën.

Më tutje, ai ka thënë se shërbimi votues është në përmbyllje e sipër të periudhës së regjistrimit dhe verifikimit të aplikacioneve për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Gjatë ditës së nesërme, e hënë, do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar, sa prej tyre janë aprovuar dhe sa janë refuzuar”.

“Po ashtu, nesër (e hënë) do të kemi edhe të dhëna nga qendra e thirrjeve lidhur me verifikimin e aplikuesve përmes telefonimit të tyre dhe se deri ku ka shkuar ky proces”, ka thënë Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ishte hera e parë që po jepte mësim në atë…