Votimi nga Gjermania: Ambasada tregon si duhet të kryhet procesi i votimit

09 janar 2025 | 14:55

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar me postë për zgjedhjet parlamentare.

Aty tregohen se si duhet të plotësohen fletëvotimet.

Njoftimi i plotë:

Hapi 1: Plotësimi i fletëvotimit

Shkarkoni dhe printoni fletëvotimin nga lidhja e dhënë.

Në anën e majtë të fletëvotimit do të gjeni listën e subjekteve politike. Zgjidhni një subjekt politik dhe në anën e djathtë mund të votoni deri në dhjetë kandidatë.

Pas plotësimit, paloseni fletëvotimin dhe vendoseni brenda një zarf dhe mbylleni.

Hapi 2: Dërgimi i fletëvotimit

Printoni dëftesën e regjistrimit që keni marrë përmes email-it gjatë regjistrimit.

Vendosni fletëvotimin e mbyllur dhe dëftesën e regjistrimit brenda një zarfi të dytë.

Mbi zarfin e dytë, shkruani adresën e kutisë postare të KQZ-së dhe vendosni një pullë postare.

Dërgojeni zarfin në postën më të afërt të shtetit ku jetoni.

“Kujdes! Fletëvotimi duhet të jetë individual dhe nuk mund të përfshini fletëvotime për anëtarët e familjes.

Zarfi duhet të ketë pullën postare dhe të dërgohet nga shteti ku jeni regjistruar. Për ndihmë dhe informacione shtesë, mund të kontaktoni linjën ndihmëse të KQZ-së përmes WhatsApp dhe Viber në numrin: +383 46 61 00 61”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se nga sot e deri më 8 shkurt, mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka vizituar Podujevën, ku…