Votimi për kryetarët e komunave në veri, Qeveria ndan mbi 250 mijë euro
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndarë mbi 250 mijë euro për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave në veri të vendit.Ky vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme (22.03.2024) të Qeverisë me kërkesë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).“Qeveria miratoi kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 252,004 € për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”- thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, gjatë kësaj mbledhjeje elektronike, Qeveria ka miratuar dhe nismën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për amendamentimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore, e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me Ligjin Nr. 03/L-152 për “Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore”, dhe shpallur me dekretin Nr. DL-013-2009, datë 30.05.2009 nga presidenti i Republikës së Kosovës.