Votohen ndryshimet në Projektligjin për financimin e subjekteve politike, LDK-ja e LV-ja kundër
Me gjashtë vota për dhe dy kundër, Komisioni për Integrime Evropiane e ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, duke e harmonizuar me Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë se këto ndryshime nuk do ta kenë përkrahjen e subjektit të saj.
“Ky projektligj nuk përfaqëson atë versionin për të cili kryeministri ka marrë konstatim nga Komisioni i Venecias. Propozoj që ky të mos shkojë në seancë për votim, por të kthehet në komision sepse me të gjitha ndryshimet nuk është më i njëjti”.
“Nuk njeh asnjë praktikë si projektligj i ndryshuar dhe zyra e BE-së ka pasur vërejtje. Prandaj përfshirë gjitha vërejtjet ne nuk do marrim pjesë në votim të këtij projektligji”, ka thënë ajo.
Ndryshimet e këtij projektligji nuk e kanë marrë as votën e LDK-së, shkruan “EO”.
Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, ka thënë se forma e tillë në të cilën po prezantohet ky projektligj kalon në pazare politike.
“LDK-ja e ka potencuar që kjo mund të kalojë jo vetëm në atë që quhet ‘pazare’, por krijon mundësi që deputetët përtej pavarësisë të krijojnë situatë që për nevoja financiare ta humbin imazhin qoftë të ligjeve qoftë të vendimmarrjes në Kuvend”.
“Si pako t’i ofrohet Kuvendi si zgjidhje më adekuate dhe nuk lejon komplikime që ta shndërron Kuvendin në grupe, pazare dhe papërgjegjësi të individëve”, ka thënë Zemaj.
Ndërsa, deputeti Milaim Zeka, ka kërkuar sqarim nga partitë opozitare për mosvotim e këtij projektligji.
“Puna e mohimit të ligjeve veç hajt po e mohojmë është absurditet i llojit të vetë. Prandaj desha një sqarim prej deputetes pse nuk duhet me e votuar”, ka thënë Zeka.
Në anën tjetër, deputeti Visar Ymeri nga PSD-ja, si propozues i ndryshimit të këtij projektligji ka thënë se ndryshimi është bërë në vijë me frymën e Kushtetutës.
“Ky ndryshim që e kemi propozuar ne është në vijë me frymën e Kushtetutës dhe të drejtën e përgjegjësinë që e gëzon deputeti. Ne duhet si deputetë parimisht të vendosim nëse e konsiderojmë deputetin me mandat të lirë ose jo. Qëndrimi parimor duhet të nisë me këtë”, ka thënë Ymeri.
Ndaj këtij konstatimi ka reaguar deputeti Zemaj, i cili ka thënë se mënyra si po parashtrohen gjërat në këtë projektligj janë të padrejta.
“Jam për këtë projektligj, por në situatën çfarë e kemi nuk ka mandat të pavarur në Kuvend. Ka grupe, lista, po është listë që hynë në Kuvend. Duhet ndryshe të ketë qasje. Po më duket e padrejtë mënyra se si po shtrohen gjërat në këtë projektligj”, ka thënë Zemaj.
Në fund, deputeti Zenun Pajaziti nga PDK-ja, ka thënë se është pro këtij projektligji.
“Një nismë e tillë që vjen si rezultat i një gjendje reale, nuk është e logjikshme dhe pse mos me ndodhë”, ka thënë Pajaziti.