Vozitësi shkel një këmbësore në Prishtinë, pastaj ikë nga vendi i ngjarjes
Një këmbësore është goditur nga një veturë në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë.
Viktima ka pësuar lëndime trupore, ndërsa vozitësi ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Lajmin e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësore dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që ngasësi i i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes”.
Zyrtarët nga njësiti i trafikut janë duke punuar në drejtim të identifikimit të vozitësit të veturës dhe hetimit e rastit.