Vrapimi 100 kilometërsh që bëri bashkë O’Connell, Lladrovcin, Jahjagën e Jasharin
Asociacioni i Vrapimit Malor të Kosovës (KTRA), me rastin e 19-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka organizuar vrapimin nga Prekazi në Koshare.
Në këtë organizim po marrin pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari.
Ish-presidentja Jahjaga ka postuar disa fotografi në profilin e saj në ‘‘Facebook”, ku ka përgëzuar organizatorët e kësaj nisme.
‘‘Në përkrahje të ‘Shtegut të Shpresës’, sot mora pjesë në vrapin 100 kilometërsh të organizuar nga Kosova Trail Running Association për të shënuar 20 vjetorin e luftës për çlirimin e Kosovës dhe 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Përgëzime organizatorëve për një iniciativë të tillë e cila pati për qëllim përkujtimin e sakrificave të dëshmorëve të Kosovës të cilët kontribuan për lirinë që ne sot e gëzojmë”, ka shkruar Jahjaga.