Vrasësi i Donjeta Pajazitit dënohet me burgim të përjetshëm
Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar Naser Pajazitaj me burgim të përjetshëm. Naser Pajazitaj është akuzuar se ka vrarë kushërirën e tij 22-vjeçaren Donjeta Pajazitaj në bjeshkët e Strellcit.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
“I pandehuri N.P shpall fajtor për shkak se më 9 nëntor 2015, në Bjeshkët e Strellcit, të komunës së Deçanit në vendin e quajtur te ‘Kroni i Lajthisë’, i pandehuri, duke qenë edhe më parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta viktimën D. P, me çka ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, është thënë në njoftimin nga Gjykata e Pejës.
Gjykata deri te kjo gjendje faktike ka ardhur pas nxjerrjes së provave të reja që kanë munguar më parë dhe se këto prova të reja në lidhshmëri me prova të tjera e dëshmojnë se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.