“Vrasësi” i Smajl Hajdarajt dy ditë para vrasjes i kishte kërkuar gruas së tij që t’ia ndezë cigaren me flakën e qiririt
Më 17 janar 2002, ish-deputeti i LDK-së, Smajl Hajdaraj, u vra në hyrje të banesës së tij në Pejë, një ngjarje që mbetet një prej vrasjeve më tronditëse të pasluftës në Kosovë. Dy ditë para vrasjes, një person iu afrua bashkëshortes së tij dhe i kërkoi të ndizte cigaren në flakën e qiririt.
Një prej vrasjeve më tronditëse të pasluftës në Kosovë ndodhi saktësisht 22 vjet më parë, më 17 janar 2002, kur ish-deputeti i LDK-së, Smajl Hajdaraj, u qëllua për vdekje në hyrje të banesës së tij në Pejë.
Dy ditë para vrasjes, bashkëshortja e tij e priste në hyrje të banesës me një qiri në dorë, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike.
Në emisionin “Mendje Kriminale”, djali i tij, Shpëtimi, tregoi se një person iu afrua nënës së tij (gruas së Smajlit) dhe i kërkoi të ndizte cigaren në flakën e qiririt. Pasi Smajl Hajdaraj arriti në vendin e ngjarjes, personi u largua shpejt duke u ngjitur shkallëve.
“Porsa vjen Smajli ai largohet hypë shkallëve përpjetë sepse banesa i kishte pesë kate. Edhe Smajli e pyet nënën a e njofte këtë person thotë jo, hera e parë që po e shoh. Ti a e njofte Smajl, ky i thotë jo se njofta por po e di që për mua kanë ardhur, këtë fjalë ja thotë”, ka thënë djali i Smajl Hajdarajt në “Mendje Kriminale”.
Më 17 janar, rreth orës 20:00, Smajl Hajdaraj u vra me 11 plumba nga dy armë në hyrje të banesës së tij. Shpëtimi tregoi se prita ishte organizuar në errësirë nga dy persona që e prisnin në hyrje të ndërtesës.
“Duke hyrë brenda në hyrje të banesës aty kishte qenë prita e organizuar, dy persona në hyrje ishte terr, si ka hyrë në hyrje si i ka kalu 3-4 shkallë prej pllatos për me hy, si ka hy aty ata dy persona kanë qenë në pritë, edhe aty ka ndodhur vrasja”, ka thënë Shpetimi.
“Nuk është pa por vetëm i ka dëgjuar krismat, edhe menjëherë si i dëgjon krismat zbret te poshtë e thotë një fjalë “uu Smajl a të vrajtën, faktikisht e ka ditur se është Smajli.”