VRASËSI I TITOS

03 tetor 2019 | 11:44

ADIL OLLURI

 VRASËSI I TITOS

 E kanë vrarë Titon! Tito është vrarë!

Ky lajm mori dhenë. Nuk flitej gjë tjetër pos për vrasjen e udhëheqësit të madh të federatës së kuqe. Lajmi erdhi si rrufe edhe në krahinën jugore, që në të njëjtën kohë urrehej dhe dëshirohej marrëzisht nga të parët e serbëve.

Në mesin e shqiptarëve duhej të ishte vrasësi. Ata do ta kenë vrarë udhëheqësin e madh, mërmërisnin komunistët, të bindur se fajtori ishte mes shqiptarëve të Kosovës.

Nuk vonoi shumë minuta dhe ky lajm erdhi edhe në Llagam, në një fshat midis malesh, që nuk dallonte shumë prej fshatrave të tjerë fqinjë. Kishte të njëjtat halle e të njëjtat male. Ani pse lajmet vinin me vonesë në këtë fshat, ky për vrasjen e liderit ishte ngjitur maleve më shpejt se të tjerët.

Llagamasit, veçmas pleqtë, u tronditën nga lajmi se Tito më nuk ishte mes të gjallëve. U mblodhën te lisi i madh për të dertuar e për të marrë vesh se si mund të ketë ndodhur një vaki e tillë. E pyesnin veten se ç’do të ndodhte tash me ta? I vriste kureshtja se kush mund ta kishte vrarë sulltanin e kuq. Prisnin me orë të tëra se kush do të vinte nga qyteti për t’i sjellë të rejat. Nuk u zihej vendi-vend që ta dinin se ç’ishte duke ndodhur në qytetin e madh dhe kush mund ta ketë vrarë Titon.

Në fund të rrugës panë Feratin që kthehej nga qyteti. Nuk u pëlqeu fshatarëve kur e panë sepse Ferati fliste kuturu e nuk mund t’i besohej. Tallej me gjithçka e me gjithkënd. Edhe me veten. Tallej edhe me vdekjen. Andaj fshatarët nuk e donin. Iknin prej tij si prej një të marri meqë nuk donin të binin pre e ironisë së tij. Meqë nuk kishte tjetër njeri që vinte nga qyteti, iu afruan që të mësonin ndonjë të re.

– Çka po thonë n’sheher, o Ferat? Çka ashtë kah bahet k’shtu? – e pyeti më plaku prej fshatarëve të mbledhur pranë lisit të madh, i vetëdijshëm se pyetja e parë i takonte atij.

– Kurgja valla, mixha Fekë! Po rrinë e po kqyrin seri. Çka kanë me ba! – Ferati ishte i lodhur nga rruga e bërë këmbë dhe donte t’u shmangej pyetjeve për të shkuar sa më parë në shtëpi. Fshatarët i nevrikosi pak tentimi i Feratit për t’i ikur bisedës me ta, megjithatë s’e lanë të ikte prej mexhlisit të jashtëzakonshëm.

– Kallxona more najsen! Çka po mësyn k’shtu kaq për ngut? – e ngriti tonin Brahimi që ishte bashkëmoshatar me Feratin.

– Pse more me ju kallxu fije për pe çka po bahet n’sheher?! Dilni edhe ju kajherë dhe shihni vetë çka po bahet. Ferati ende nuk e kishte marrë vesh lajmin që kishte marrë dhenë. Nuk kishte parë njeri në qytet dhe rrugën e kthimit në fshat e kishte bërë fikalli vetëm. Nuk kishte pasur kush t’i tregonte.

– E kanë vra Titën! – ia kumtoi shqetësueshëm Brahimi të renë e dëgjuar. Ferati mbeti i habitur. Megjithatë, pas pak çastesh, hamendësoi se edhe ky do të ishte një nga trillet e shumta që krijoheshin në fshat. Kishte ngjarë edhe më herët që dikush ta lëshonte një fjalë koti dhe tërë fshati të merrej me të.

– A po dihet kush e ka vra? – e pyeti Feratin plaku i dytë që rrinte pranë më të vjetrit.

Plaku i dytë e mbante një cigare në vesh, gjithnjë i gatshëm për ta ndezur.

– Belaja e Zotit! Hata e madhe ka me u ba – qe konstatimi plot frikë i plakut të tretë që rrinte pranë të dytit. I vetmi prej pleqve që kishte bastunin e bardhë, meqë të tjerët i kishin të kaftë.

– Dihet kush e ka vra Titën – e filloi muhabetin prej shakaxhiu, Ferati.

– Kush…? – iu drejtuan njëzëri dhe shqetësueshëm fshatarët.

– Unë!

– Qysh?!!

– Unë e vrava Titën!

– Çka je kah flet, o djalë?!! A je kah e nin veten?!!

– Kesh dej n’Beograd dhe e vrava Titën. Kurgja kërkuj. I thashë, o me mu o me Fadilin. Ai tha me Fadilin dhe nuk ia fala dakikun, vazhdonte shakanë Ferati dhe qeshej me frikën e fshatarëve.

– Nuk janë hajgare këto sene, o djalë! – i foli qortueshëm më i vjetri plak.

– Pos neve, mos t’i nin kush këto fjalë – e plotësoi plaku i dytë.

– Belaja e Zotit! Hata e madhe ka me u ba – i përsëriste të njëjtat fjalë i treti plak.

Të nesërmen doli e vërteta sheshit. Lajmi ishte i rremë. Nuk ishte trillim fshati, siç hamendësonte Ferati, por një gënjeshtër e madhe që e kishte trazuar tërë Jugosllavinë, që nga alpet sllovene e deri në malet e Sharrit. Ende nuk dihej se ku e kishte burimin një lajm i tillë, që kishte shkaktuar kaos njëditor në federatë. Megjithatë, fshatarëve të Llagamit nuk u bënte më përshtypje zbulimi i burimit. Me rëndësi ishte se Tito ishte gjallë dhe se nuk do të pëlciste ndonjë luftë e papritur, ndonjë bela a hata, siç shprehej përsëritshëm plaku me bastun të bardhë.

Nuk shkoi as një javë e plotë dhe një automjet milicësh ia mësyu fshatit. U ndalën te shtëpia e Feratit. Trokitën në derë me tyta automatikësh. Trokitën një herë, dy herë dhe, ende pa e provuar të tretën, i zoti i shtëpisë e hapi derën.

– Dëgjuam se e ke vrarë heroin tonë të gjallë, shokun Tito – milicët i buzëqeshnin me cinizëm personazhit tonë që dridhej nga frika.

– Si e vrave? Me një plumb, dy plumba, tre apo më shumë?

– Nuk e kam pasë me mendje t’keqe, shoku komandant. Veç kam ba mahi me pleqtë e katunit – i dridheshin këmbët Feratit si thupra në ujë. Këtë gjë e vunë re edhe milicët.

– Je tallur me udhëheqësin tonë të madh! Bën humor në llogari të atij që e mposhti fashizmin, ë?! Turp, shoku Ferat! Nuk na merrte mendja se deri këtu mund të shkojë qyqarllëku juaj. Ti je më i pafytyrë se kullakët e ballistët. Ty që të kemi konsideruar shok tonin. Turp! Turp! Njëqind herë turp!

– Shoku komandant, ju e dini sa shumë e du Titën. As babën tem nuk e respektoj ma shumë.

– Si the?! E vë në paralele udhëheqësin e madh me babanë tënd?! Kush është babai yt që do të mund ta respektoje po aq sa Titon? Askush! Një copë analfabeti që i ka rënë hise të jetojë në të njëjtin shtet me Titon.

– Shoku komandant, nuk e thashë me atë… – provoi të thoshte diçka Ferati, por frika dhe të dridhurit e këmbëve që sa vinin e i shtoheshin, nuk e lanë të arsyetohej.

– Mos fol asgjë! Eja me ne në stacion! Së pari duhet ta japësh deklaratën, pastaj shohim e bëjmë.

– T’lutna, shoku komandant! Kam thmi t’vogël – lutej Ferati si një fëmijë para kryemilicit, me shpresën se do të mirëkuptohej nga ai. Por, ishte e kotë. Milicët e tjerë e shtynë me forcë dhe e detyruan të hipte në automjetin e tyre.

Siç edhe mund të pritej, Ferati u paraqit në gjykatore. Gjykatësi e kishte para vetes një njeri të dërrmuar nga goditjet. Shenjat që i kishte në fytyrë dhe kokë dëshmonin se milicët nuk kishin përtuar ta rrihnin tallësin e fshatit, që s’e kursente as Titon e madh. Sikurse milicët, të njëjtat pyetje ia bëri edhe gjykatësi, i habitur se si kishte guxuar një fshatar i thjeshtë të lëshonte aq shumë gjuhën e tij.

– Shoku gjykatës, Tito ashtë shpirtmadh. Ai i fal gjynahqarët! T’ish kanë n’vend tandin, kish me ma falë gjynahun! Nuk e kish shti n’gazep një evlad t’vetin, që ashtë n’gjendje me ba dekën për ta. Gjykatësi qeshi dhe, si duket, i pëlqeu mënyra se si donte të shfajësohej Ferati. Habitej se si nga një fshat i humbur malesh mund të dilte një mendje e tillë, aq lojcake e aq dinake.

Ferati u shpall i pafajshëm.

Shëtiste si kapadai në qytet dhe në fshat. Tashmë, përpos që tallej me udhëheqësit e kuq, ai edhe i shante ata. Shfrynte mllef ndaj tyre me një gjuhë që nuk ishte dëgjuar as nga ballistët më të ashpër. Thoshte se po hakmerrej për torturat që ia shkaktuan gjatë dy ditëve të burgimit të tij.

Thonë se e bëri një ujdi me gjykatësin, disa prej udhëheqësve të qytetit dhe kryemilicin, që të tallej dhe të shante pa u kursyer, që të mos i vinte gojës fre në asnjë çast. Kishte bërë ujdi që t’u tregonte saktë se kujt i pëlqenin e kujt jo sharjet e tij.

Ferati kishte liri të plotë të tallej dhe t’i shante pushtetarët e kuq. Udhëheqësit e qytetit e mbanin në burg kohë pas kohe, që të mos vërehej ujdia dhe që loja të dukej më bindëse. U duhej edhe pranë të burgosurve.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Camila Cabello ka paralajmëruar edhe një këngë të re. Këngëtarja…