Vrasja e 18-vjeçarit, komuna e Podujevës ndërmerr masa për rritjen e sigurisë

23 janar 2024 | 13:18

Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi në Komunën e Podujevës ka mbajtur dje mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, për të shqyrtuar situatën e përgjithshme të sigurisë pas rastit të fundit tragjik të vrasjes së të riut 18-vjeçar, Lulzim Fejzullahu.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të KKSB-së të kryesuar nga kryetari Bulliqi, përveç anëtarëve të Këshillit morën pjesë edhe zyrtarët nga Stacioni i Policisë të cilët janë të autorizuar në mbikëqyrjen e sigurisë në shkollat e mesme të komunës, shefi i hetimeve të Stacionit Policor, drejtorë të shkollave, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe media.

Para fillimit të mbledhjes në shenjë solidarizimi me familjen e të riut Fejzullahu u mbajt një minutë heshtje.

Kryetari Bulliqi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të riut, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga bashkëmoshatarët e tij, duke theksuar që është e trishtueshme të dëgjosh për një humbje të tillë tragjike, sikurse vdekja e 18-vjeçarit, duke bërë thirrje te të gjithë akterët komunal për bashkëpunim më të thellë rreth ngritjes së sigurisë së përgjithshme në komunën e Podujevës.

Për rastin në fjalë komandanti i Stacionit të Policisë, Nijazi Jashari, dha informata rreth pranimit të rastit dhe hapat e ndërmarrë nga policia, ndërsa shefi i hetuesisë, Mentor Vërshefci dha detajet e rastit rreth hetimeve të cilave janë zhvilluar deri më sot.

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të KKSB-së, u diskutuan çështjet e sigurisë dhe hapat që duhet të ndërmerren në rritjen e saj, drejtorët e shkollave, përfaqësuesit e shoqërisë civile, udhëheqës të ZKKK-së, dhanë rekomandime konkrete rreth një harmonizimi të veprimeve të cilat do të ndikojnë direkt në rritjen e sigurisë së përgjithshme, në veçanti sigurisë së nxënësve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO-ja ka nënshkruar të martën një kontratë në vlerë të…