Vrasja e 18 vjeçarit në Podujevë, IPK nuk gjen shkelje në veprimet e Policisë, nis procedurë disiplinore ndaj një zyrtari
Inspektorati Policor i Kosovës ka përfunduar raportin lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës me rastin e vrasjes së 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu në Podujevë nga dy të mitur.
IPK kishte nisur hetime pasi Policia e cilësoi rastin si therje me thikë.
Inspektorati nëpërmjet një komunikate thotë se nuk ka gjetur shkelje në trajtimin e rastit nga ana e Policisë, por janë evidentuar disa lëshime të vogla.
“Përkundër ndryshimit të këtij raporti i cili ka krijuar konfuzion në publik, pas analizimit të të gjithë dokumentacionit dhe intervistave të zhvilluara, IPK vlerëson se ky lëshim nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimin fillestar të rastit, pasi që dosja hetimore është dorëzuar në prokurori brenda ditës së incidentit para se të dërgohet raporti i shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe e njëjta përmban të gjitha informacionet e sakta sipas video-incizimeve të vendit të ngjarjes (disa ditë para publikimit të video-incizimit të incidentit në medie).”, thuhet në raportin e IPK/së.
IPK duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime displinore brenda Policisë së Kosovës.
Njoftimi i plotë i Inspektoratit:
Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar duke ju referuar rastit të vrasjes të L.F në Podujevë, pas ngritjes së disa çështjeve të cilat janë paraqitur si shqetësim në opinion (sidomos rreth raportimeve fillestare nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh për këtë incident).
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së ka caktuar një grup hetimor (hetues dhe inspektor të IPK-së) të cilët për pesë ditë me radhë janë angazhuar përveç tjerash në grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Angazhimet e tyre kanë përfshirë edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, sigurimin dhe analizimin e video-incizimeve të marra nga vendi i ngjarjes në Podujevë, radiologun si dhe të gjitha shkresat e komunikimit në mes Stacionit Policor të Podujevës, Drejtorisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtorisë së Përgjithshme dhe kopjen e dosjes së kompletuar të dorëzuar në Prokurori .
Për të sqaruar opinionin publik për shqetësimet e ngritura lidhur me raportimin si dhe për të dhënë informacione për veprimet operative dhe hetimore të zyrtarëve të Policisë së Kosovës lidhur me këtë rast, në vijim do të gjeni përmbledhjen e të gjeturave dhe konkluzioneve nga Inspektorati Policor:
· Nga shqyrtimi i dosjes së rastit, video incizimet e kamerave të sigurisë si dhe shkresat tjera të lëndës nga Stacioni Policor Podujevë, pasqyrohet se koha e reagimit të njësive policore dhe emergjencës së qytetit nga momenti i thirrjes deri në vendin e ngjarjes ka qenë i shpejtë (rreth 3 deri 4 minuta, nga pranimi i informatës deri në arritjen në vend të ngjarjes të njësisë policore, si dhe rreth 9 minuta i arritjes së ekipit të emergjencës mjekësore të qytetit).
· Veprimet hetimore në teren, ruajtja e vendit të ngjarjes, trajtimi i viktimës, sigurimi i video incizimeve dhe njoftimi i njësive relevante dhe prokurorisë, është bërë në kohë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale dhe procedurave parapara policore.
· Arrestimi, intervistimi dërgimi në qendrën e mbajtjes, sigurimi i zyrtarit Qendrës për punë sociale, janë administruar sipas procedurës të paraparë me Kodin e Procedurës Penale dhe procedurat policore.
· Përpilimi i dosjes së rastit nga zyrtarët e Stacionit Policor të Podujevës është i kompletuar dhe pa mangësi.
· Nga analizimi dhe shqyrtimi i shkresave të lëndës që lidhen me aktivitetin hetimor të Sektorit Rajonal të Hetimeve (video incizimeve, raporteve për veprimet hetimore, raporteve forenzike, komunikimi me prokurorinë dhe shkresave tjera), IPK ka vlerësuar se të gjitha veprimet e lartcekura janë ndërmarrë sipas afateve procedurale dhe përmbajnë të gjitha elementet e kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.
· IPK ka verifikuar nëse në incidentin fillestar i cili ka ndodhur më 13.01.2024 tek lokali (berber) në mes të viktimës L. F dhe njërit nga të dyshuarit ka pasur prezent ndonjë zyrtar policor. Nga shqyrtimi i deklaratave të dëshmitarëve dhe dokumenteve, kuptohet se në ngjarjen e cila ka ndodhur në lokal në kohën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë prezent ndonjë zyrtar policor, por veç personave tjerë ka qenë një zyrtar i Shërbimit Korrektues, i cili është identifikuar nga dëshmitarët e intervistuar me autorizim të Prokurorit nga Njësia e Hetimeve Rajonale të policisë.
· IPK ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejt të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
· Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, (raporti i cili përmban informacionin se viktima është i therur me thikë), është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qendre ka pasur me Stacionin Policor në Podujevë, të cilët këto informacione i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar.