Vrasja e 22-vjeçarit tek Ujëvara e Mirushës, i akuzuari thotë se mosmarrëveshjet nisën në Itali
I akuzuari Nderim Gashi është betuar në “Zot dhe drejtësi” se ai bashkë me vëllezërit e tij s’kishin qëllim ta vrisnin 22-vjeçarin.
Ai ka thënë se i vjen keq shumë për rastin që ka ndodhur.
Këto deklarime Nderim Gashi i ka dhënë të enjten në mbrojtjen e tij ku akuzohet se në mënyrë të paskurpullt kanë privuar nga jeta F. H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë. Pos tij akuzohen edhe Basri, Agron, Ardit dhe Ylli Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gashi ka thënë se deri te vrasja e 22-vjeçarit F. H. ka ardhur pasi vëllai i tij kishte pasur një mosmarrëveshje me vëllezërit Hoxha në Itali për një borxh prej 300 eurosh.
Sipas tij, në mes të vëllezërve të dëmtuarve Hoxha dhe vëllait të tij Egzon Gashit në Itali kishte pasur një mosmarrëveshje në lidhje me një borxh prej 300 eurosh, për të cilin ata një herë ishin kapur nga policia dhe njëherë vëllezërit Hoxha e kishin rrahur Egzonin.
I akuzuari Gashi tha se me të dëmtuarin ishte njohur më herët pasi që edhe kishin disa punë të përbashkëta.
Gashi ka thënë se në ditën kritike pas punës kishin shkuar me vëllezër për të pirë kafe tek Ujëvara e Mirushës, por aty kishte pasur shumë njerëz dhe kishin ndërruar vend dhe ishin nisur për te “Villa Park”.
“Kur jemi shku në restorant ‘Villa Park’, me pikap, duke u parkuar, dritat e veturës kanë reflektuar në veturën e Mahmut Hoxhës dhe aty nuk jemi hy me pi kafe dhe unë u thashë se koka Mahmuti këtu, nuk bon me hi me pi kafe, se na njeh, se e di se ka problem me neve dhe aty kemi qëndruar në pikap unë, Bahria dhe Arditi”, tha i akuzuari Nderim Gashi.
Derisa ata ishin në pikap tha se kishin qëndruar 15 minuta në parkingun e restoranitit “Villa Park” dhe kur aty kishte dalë i dëmtuari Mahmut Hoxha, në ato qaste tha se kishte dalë edhe vëllai i tij, i akuzuari Ardit dhe kishte filluar përleshja mes tyre.
“Në përleshje e sipër Mahmut Hoxha e ka pas çantën përpara, gjatë përleshjes e ka nxjerrë armën prej çante dhe ka gjujtë në tollovi dhe aty është vrarë vëllai i tij, tashmë i ndjeri F. H., pa dëshirën e Mahmut Hoxhës. Gjatë përleshjes vëllai Arditi e ka godit në dorë Mahmut Hoxhën me shkop dhe aty i ka ra arma në tokë prej frike se mos na vriste. E kam kap armën nga toka, kam lëvizë me armë, por nuk e kam përdorur armën, se s’kom ditë me përdorë armë, se kurrë në jetën time nuk kam përdor armë”, tha i akuzuari Nderim në mbrojtjën e tij.
Pas rastit ai tha se me të akuzuarit Bahri dhe Ardit kishin shkuar te pllaci i tyre në Volljakë dhe e kishin lënë armën.
Pas përfundimit të deklarimit nga pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Emrush Kastrati, i akuzuari Nderim Gashi shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Tutje, mbrojtjen e tij e dha edhe i akuzuari Basri Gashi, i cili e nisi duke i shprehur ngushëllime familjes së të dëmtuarve dhe tha se i vjen keq për rastin e ndodhur.
Ai ka shpjeguar se si ka ndodhur ngjarja në ditën kritike.
“Si kemi hyrë në hyrje të restoranit ‘Villa Park’, Agroni më tha qe ku koka pikapi, tani ka dalë prej kerrit, s’e di a ka qenë Nderimi a kush ka qenë nga vëllezërit dhe unë iu kom drejtu, i kam thënë qa po boni këtu. Tha kurgjo Nderimi. Unë ju kom drejtu me fjalë nëse keni ardh me bo fjalë me dikënd mos me merrni në qafë as mua, as veten”, tha i akuzuari Basri Gashi.
Ai tha se i akuzuari Nderim Gashi ka mohuar të kenë ndër mend të fjaloset dhe pastaj tha se ka vazhduar të shikojë për ndonjë vend të lirë në tarracë për kafe.
“Sa jam shku mu ul e kam ni një krismë dhe do që ishin kanë në tarasë aty jon çu, pas pak çasteve e kam ni edhe një krismë a janë kanë një apo dy nuk e di edhe jam çu prej aty edhe kam fillu nëpër sallë me dal jashtë me këqyrë se çka po ndodh. Kur kam dal te shkallët e restoranit e kam pa një njeri te shtritë përballë shkallëve, kurse 3-4 vet në anën e majtë ishin kanë t’u u përlesh aty. E pashë se janë djemtë e vëllait”, tha i akuzuari Basri Gashi.
Ai më pas tha se ajo përleshje nuk ka zgjatur shumë. Tha se nuk ka pasur perceptim të mirë të ngjarjes ku, sipas tij, kishte qenë në gjendje të dehur, i kishte parë vetëm se janë nisur djemtë me pikap dhe më pas vetëm i kujtohet vetja në stacionin e policisë.
I akuzuari Basri Gashi tha se nuk kishte pasur njohuri lidhur me problemin rreth dy familjeve.
Pas përfundimit të orarit të rregullt të punës, seanca u ndërprit për të vazhduar më 12 dhe 13 qershor të këtij viti.
Fillimisht në seancë mbrojtësi i të akuzuarit Nderim Gashi, avokati Emrush Kastrati, kishte propozim përsëri që pamjet nga videoincizimet të dërgohen në pastrim dhe sqarim, si dhe kërkoi që të bëhet ekspertizë e re balisitike për të ekspertuar gjurmët papilare në armën e gjetur, propozim ky i cili u refuzua nga ana e trupit gjykues të kryesuar nga kryetari Shaqë Curri.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.