Vrasja e 250 personave gjatë luftës, deklarohen të pafajshëm dy serbët
Të pafajshëm janë deklaruar dy serbët e akuzuar për krime lufte në Kosovë. Prokuroria i ngarkon për një sërë veprash penale, vrasje, dëbime e dhunime seksuale ndaj popullsisë civile gjatë 1998-1999. Në mesin e 250 të vrarëve janë edhe 19 fëmijë.
Lista e krimeve për të cilat akuzohen që i kryen në Kosovë gjatë luftës është e gjatë ashtu sikurse edhe numri i viktimave.
Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, dolën sërish këtë të hënë para gjykate për tu përballur me akuzat për krime lufte gjatë 1998-1999 në komunën e Istogut.
Në seancën fillestare prokurori Ilir Morina ka lexuar aktakuzën e ngritur ndaj tyre.
Ilir Morina- Prokuror deklaroi se “kanë larguar qindra mija banorë nga shtëpitë e tyre në të gjitha fshatrat e Komunës së Istogut, kurse pas largimit të popullsisë, fillimisht e kanë plaçkitur pasurinë e civilëve dhe pastaj i kanë vënë flakën secilës shtëpi në secilin fshat të Komunës së Istogut duke e shkatërruar në tërësi pasurinë e popullsisë civile, që rezultoi me rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, 260 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima janë fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale”
Momir Pantiq, i cili ishte kryeshef i stacionit Policor në Istog, akuzohet edhe për dhunime seksuale, një burrë dhe një grua.
Ilir Morina- Prokuror tha se “ pseudonimin‘’ A1’’, një civil i nacionalitet shqiptar, i gjinisë mashkullore dhe e dërguan në burgun e Gjurakocit, i cili fillimisht ishte marr në pyetje nga disa zyrtar të këtij stacioni me rroba civile dhe gjatë qëndrimit disa ditorë në burg, ishte marr nga disa pjesëtarë të policisë dhe ishte dërguar në një vend të posaçëm të objektit të burgut, ku ishte dhunuar seksualisht…. viktima me pseudonimin ‘’B1’’ ishte ftuar nga policia që të paraqitej në Stacionin Policore në Istog për tu marr në pyetje, kur kishte arritur ajo fillimisht ishte marr në pyetje, pastaj ishte rrahuar fizikisht e më pastaj ishte dhunuar seksualisht nga një polic i këtij stacioni, në prezencën e pesë (5) policëve të tjerë.”
Pantiq akuzohet edhe për masakrën në burgun e Dubravës.
Asnjëri nga të pandehurit nuk kanë pranuar fajësinë për veprat që akuzohen.
Momir Pantiq- I akuzuar tha “Për asnjë ngjarje që është përshkruar nuk e kam bërë, as nuk e kam urdhëruar, mirëpo jam fajtor sepse më 1998 1999 i kam ruajtur me mijëra jeta të shqiptarëve, 99% e popullatës së Istogut e dinë..”
Zharko Zariq- I akuzuar tha se “Nuk e pranoj nuk kam qenë pjesëmarrës e as bashkëpjesëmarrës.”
Por, që të dy janë identifikuar nga të mbijetuarit e familjet e tyre në Istog, edhe gjatë raportimeve të Dukagjinit edhe kur të pandehurit ishin arrestuar edhe kur u ngrit aktakuza muajin e kaluar.
Sefadin Salihaj – Familjar i të vrarëve tha se “Aty janë ra baba me katër djem e tre nipa, tri gjenerata. Baba ka qenë më i moshuari e më i riu Hysniu, djali i Shabanit, 16 vjeç. Më e keqja ishte se i kishin pas qel, ua kishin marrë organet, krejt kanë qenë t’qelun pos Shabanit. Baba ishte i vrarë këtu, këtu djali i vëllaut, Shabani u vra tek udha kryesore…grun e tij e kishin pas vra Fatimen. Ja kemi gjet flokët se kur e kishin vra e kishin lyp Edhe një qebe, e më pas e kishin zhduk”.