
Vrasja e avokatit Kelmendi dhe djemve të tij, Osmani: Ky akt barbarie synonte ta dekurajonte luftën tonë për liri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar vrasjen e avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij nga forcat serbe në vitin 1999.
Ajo ka vlerësuar se ky akt barbar synonte ta dekurajonte luftën e Kosovës për liri.
Përmes një njoftimi për media, presidentja Osmani ka kërkuar drejtësi për avokatin Kelmendin dhe bijtë e tij.
“Njëzet e gjashtë vjet më parë, Kosova humbi një luftëtar të palëkundur të drejtësisë, avokatin Bajram Kelmendi, dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Në orët më të errëta të historisë sonë, ata u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit dhe u ekzekutuan mizorisht. Ky akt barbarie synonte ta dekurajonte luftën tonë për liri. Por, dhuna nuk arriti ta shuajë të vërtetën dhe krimet nuk e ndalën përpjekjen për drejtësi. Sot, ne nuk i kujtojmë vetëm si viktima të një regjimi kriminal, por si simbole të qëndresës, të idealeve për një Kosovë të lirë dhe demokratike”, citohet të këtë thënë Osmani, duke shtuar se drejtësia për Bajram Kelmendin dhe bijtë e tij nuk do të mbetet vetëm një premtim, por një betim.
“Jeta dhe sakrifica e Bajram Kelmendit është testament i guximit, ndërsa vrasja e tij dhe e djemve është kujtesë e përhershme për borxhin tonë ndaj drejtësisë. Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur: drejtësia për Bajram Kelmendin dhe bijtë e tij nuk do të mbetet vetëm një premtim, por një betim. Brezat që vijnë do të mësojnë për ta jo vetëm si viktima të një mizorie, por si flamurtarë të pathyeshëm të një populli që nuk u dorëzua kurrë. Qoftë i përhershëm kujtimi për ta!”, ka thënë Osmani, sipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës.