
Vrasja e Balajt dhe Xheladinit, Ministria e Drejtësisë kërkon informata rreth hetimeve nga Rumania
27 shkurt 2020
| 17:06
Ministria e Drejtësisë ka bërë me dije se i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë për t’u njoftuar në lidhje me arritjet në procesin e hetimeve që shteti rumun është duke bërë në kuadër të hetimeve për vrasjen e dy protestuesve, Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
Balaj dhe Xheladini ishin vrarë në Prishtinë, në protestën e 10 shkurtit 2007, në të cilën kanë qenë të përfshirë policë rumun në kuadër të forcave policore të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga ministrja Albulena Haxhiu, ka njoftuar se përmes kësaj kërkese është e interesuar që nga institucionet e drejtësisë rumune të njoftohet nëse është marrë vendimi përfundimtar për këtë rast që ka nisur në vitin 2009.