Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, dëshmitari thotë se njëri i akuzuar kishte thënë që do ta shiste shtëpinë që ta gjente
Dëshmitari Agim Hoti gjatë dëshmisë në gjykimin ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, të cilët po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, tha se është e vërtetë që i akuzuari Jeton disa ditë pas ngjarjes, kishte thënë që do ta shiste shtëpinë për ta gjetur tani të ndjerin.
“Po, është shumë e vërtetë. Kështu ka thanë, domethënë prezent ka qenë edhe Durim Krajkova, me këto fjalë që i ka thanë Jetoni në preznencën tonë, Jeton Vllasaliu”, tha dëshmitari Hoti.
Këtë deklarim, dëshmitari e bëri pas ballafaqimit nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, me deklaratën e dhënë Polici. Ai e pyeti se a është e vërtetë që disa ditë pas ngjarjes, i akuzuari kishte thënë se do ta shiste shtëpinë që ta dinte ku ishte tani i ndjeri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Po ua kujtoj një fjali e konstatuar në deklaratën tuaj “Jetoni na tha se një shtëpi e kam, jam në gjendje me shit veç me gjet ku është Bedriu”, a ju kujtohet kjo fjali dhe nëse po kush e ka thënë”, tha avokati Berisha, e që pasoi me pohimin e dëshmitarit.
Paraprakisht, dëshmitari Hoti deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici, ndërsa tha se me tani të ndjerin kishte pasur marrëdhënie shoqërore dhe se kishin bashkëpunuar. E të akuzuarin Jeton, tha se e njeh përmes Rexhepit.
Sipas tij, disa ditë para ngjarjes ishte takuar me të ndjerin Rexhepi dhe të akuzuarin Jeton dhe pasi që kishin qëndruar pak së bashku, i ndjeri i kishte thënë që t’i linte vetë me të akuzuarin Jeton pasi që kishin një çështje për të biseduar.
Dëshmitari Hoti deklaroi se disa ditë pasi që kishin ndenjur së bashku, Rexhepi i kishte dërguar një mesazh në Viber, që sipas tij ai kishte dyshuar që diçka nuk ishte në rregull dhe që kishte tentuar ta kontaktonte, por që nuk kishte mundur ngase nuk i ishte lajmëruar.
Të nesërmen, thotë se e kishte telefonuar Durim Krajkova dhe i kishte thënë që tani i ndjeri Rexhepi kishte humbur dhe nuk po mund ta gjenin dhe më pas në bisedë kishte hyrë i akuzuari Jeton, i cili kishte qenë me Krajkovën, i cili kishte thënë se Rexhepin e kanë vrarë e nuk po munden ta gjejnë.
Krasniqi tha se më 8 prill 2021 kishte dërguar veturën tek mekaniku, e më pas aty e kishte takuar tani të ndjerin, i cili e kishte dërguar në lokal dhe e kishin pirë nga një kafe shpejt, pasi që ai i kishte thënë se do të shkonte t’i marrë dy vetura.
Sipas dëshmitarit Krasniqi, ai po atë ditë në mbrëmje kishte lënë takim me Rexhepin, e pasi që nipi i tij kishte tentuar ta kontaktonte, nuk i kishte bërë telefoni.
Edhe dëshmitari Mehedin Salihu tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici, duke shtuar se të akuzuarin Jeton e njeh pasi që ai kishte punuar tek një kushëri i tij dhe me të ishte takuar më datë 8 prill 2021 për t’ia marrë disa para që ia kishte borxh vëllait të tij.
Sipas dëshmitarit Salihu, të thënat në deklaratë ishin më të sakta pasi që ishte periudha më afër ngjarjes. Ai shtoi se kur i akuzuari Jeton ia kishte dërguar paratë, kishte qenë me një veturë ngjyrë hiri, por që llojin nuk e di. Thotë se kishte qenë me dikë në veturë.
Po ashtu, në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Pajazit Ahmeti, i cili tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici.
Dëshmitari Ahmeti deklaroi se me të akuzuarin Jeton ishte takuar për punë dhe gjatë bisedës ai i kishte treguar që tani i ndjeri Rexhepi ishte zhdukur, por që dëshmitari i kishte thënë se nuk e njihte tani të ndjerin.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Hajrullah Bajrami, i cili deklaroi se qëndron pas deklaratës së dhënë në Polici, duke shtuar se të akuzuarin Jeton e njeh, ndërsa të akuzuarin Nexhat, jo.
Sipas dëshmitarit Bajrami, me të akuzuarin Jeton ishin njoftuar për punë dhe se i njëjti i kishte mbetur borxh për disa materiale ndërtimore, ndërsa një shumë ia kishte borxh ia kompensuar me disa dritare.
Në fund, u dëgjua edhe dëshmitari Burim Murtezi, i cili po ashtu tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë më parë lidhur me këtë çështje. Tha se të akuzuarin Jeton e njeh përmes punës dhe se ai kishte mbetur borxh në shumë prej 120 euro, të cilat nuk kishte për t’ia dhënë.
Ndryshe, në fillim të seancës, prokurori Armend Hamiti propozoi që dëshmitarit Mon Islamaj t’i lexohet deklarata e dhënë në Polici për shkak se ishte gjendje jo të mirë shëndetësore dhe i njëjti propozim u aprovua nga trupi gjykues, pasi të gjitha palët u pajtuan.
Për shkak se ishte fundi i orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër me dëgjimin e dëshmitareve Nadire Gashi dhe Hanumshahe Rukovci.
Ndryshe, ky gjykim filloi rishtazi për shkak të ndryshimit të anëtarëve të trupit gjykues, pra gjykatësve Agim Kuçi dhe Ngadhnjim Arrni, me gjykatësit Gent Beka me Adnan Kamberi.
Dy të akuzuarit Vllasaliu u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale për të cilat akuzohen dhe palët qëndruan pranë fjalëve hyrëse të dhëna më herët. Po ashtu, deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në këtë shqyrtim gjyqësor u konsideruan të lexuara me pajtimin e të gjitha palëve.
Ndryshe, seancat 5 tetorit 2023 , ajo e 30 nëntorit 2023 dhe seanca e datës 23 janar 2024, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti.
Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.
Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.