Vrasja e biznesmenit në Shëngjin, në verifikim një shtetas anglez
Pjesë e verifikimeve për atentatin me arme zjarri të biznesmenit dhe politikan lokal në Lezhë Ardian Nikulaj, është bërë dhe një shtetas anglez.
Sipas Report Tv ky i fundit ka qenë duke pirë kafe brenda lokalit “CORAL” në momentin e ngjarjes dhe menjëherë pas të shtënave është larguar.
Nga verifikimet e sistemit TIMS Anglezi rezulton të ketë hyrë në Shqipëri me 14-prill dhe është larguar mbrëmjen 19-prillit disa orë pas ngjarjes.
Përgjatë 5 ditëve ai ka qëndruar në një hotel në vijën e parë të plazhit rreth 1 km larg lokalit të viktimës. Grupi hetimor po verifikon nëse diçka e tillë ka qenë një rastësi, apo shtetasi i huaj mund të jetë përdorur në rolin e informatorit për të realizuar krimin.
Për shkak të largimit të shpejtë përmes aeroportit të Rinasit drejt Britanisë në Madhe hetuesit nuk kanë pasur mundësi ta pyesin shtetasin anglez, por po analizojnë me kujdes kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse është parë duke lëvizur edhe ditë të tjera para ngjarjes pranë kompleksit “CORAL” ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Ekzekutimi mafioz i biznesmenit dhe politikan Ardian Nikulaj mesditën e së mekurës në Shëngjin vijon të mbetet pa autor, pasi identifikimi i personit që ka kryer krimin është mjaft i vështira.
Me qëllim zbardhjen e ngjarjes policia nën drejtimin e prokurorisë së Lezhës po kalon në sitë të gjitha konfliktet që mund të ketë pasur viktima, pasi ende nuk ka një piste konkrete hetimi.