Vrasja e Faton Hajrizit, Kurti: Kam shumë punë si kryeministër, nuk kam nevojë ta bëj edhe punën e ministrit

23 korrik 2024 | 14:12

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar sot rreth rastit të Faton Hajrizit, i cili më 19 korrik u raportua se u vra në Serbi.

Gjatë një vizite që ia bëri QKUK-së, Kurti para mediave tha se në lidhje me këtë rast janë duke u marrë dy dikastere qeveritare.

“Dy ministri tona, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të hënën thanë se Serbia ka dërguar shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë më Serbi, si i dyshuar për vrasjen e policit në kufi.

Sipas njoftimit të MPJD-së, shenjat janë krahasuar me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit dhe të njëjtat janë përputhur.

Ndryshe, Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës në Kosovë më 6 korrik të këtij viti dhe rreth dy javë më vonë, dyshohet se vrau një oficer policor të Serbisë dhe e plagosi një tjetër në Lloznicë.

Një ditë pas, më 19 korrik Hajrizi u raportua se u vra në afërsi të Lloznicës nga Policia serbe. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Musa Sabedini Kam shkruar edhe më herët për ndikimin…