Vrasja e gazetarit amerikan, reagon SHBA: Rusia do të paguajë “një çmim të rëndë”
Këshilltari i Joe Biden për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, thotë se Shtetet e Bashkuara do t’i imponojnë Rusisë “pasojat e duhura” si kundërpërgjigje për vrasjen e gazetarit amerikan Brent Renaud, këtë të diel në Ukrainë. Ai e komentoi lajmin e vdekjes së gazetarit si të tmerrshëm dhe tha se SHBA po punonte me zyrtarët ukrainas për të verifikuar si ndodhi ngjarja.
Ai përsëriti edhe një herë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se Rusia do të paguante “një çmim të rëndë” nëse përdorte armë kimike në Ukrainë. Ai shtoi se SHBA ishte në kontakte të drejtpërdrejta me Moskën, për ta paralajmëruar që të mos ndërmerrte sulme të tilla.
“Përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë do të ishte një tejkalim tronditës i vijës që Putin ka shkelur tashmë, sa i përket sulmit që i ka bërë ligjeve dhe normave ndërkombëtare”, tha Sullivan për rrjetin televiziv amerikan, CBS.