Vrasja e gruas shtatzënë, Haxhiu paralajmëron mbledhjen e grupit të ngushtë ndërministror
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reagoi pas vrasjes së shtatzënës para Klinikës së Gjinekologjisë, duke thënë se femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë.
Ajo ka paralajmëruar se të enjten në orën 8:30 do të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
Reagimi i plotë i saj në “Facebook”:
Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!
Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët.
Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë.
Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijun ende të pa lindur.
Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë.
Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë.
Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave.
Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
Familjarëve të viktimave, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta!
Kriminelit dënimin më meritor!