Vrasja e liderit politik të Hamasit, vjen reagimi i Turqisë
Turqia ka dënuar të mërkurën vrasjen “e tmerrshme” të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Iran. Hamasi më herët tha se udhëheqësi i saj politik Ismail Haniyeh u vra në një sulm izraelit në Teheran, ku ai kishte marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të vendit.
Dhe i pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.
“Sulmi tregon se qeveria e (Benjamin) Netanyahu nuk ka ndërmend të arrijë paqen”, citohet të ketë thënë Ministria e Jashtme turke në një deklaratë, përcjell Telegrafi.
“Kjo vrasje synon të përhapë luftën në Gaza në një nivel rajonal”, paralajmëroi ai.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi gjithashtu vdekjen, duke thënë se rezidenca e Haniyeh në Teheran u “godit” dhe ai u vra së bashku me një truproje.
Siç thekson Daily Sabah, Haniyeh ishte një vizitor i shpeshtë në Turqi, e cila ka qenë një kritike e zëshme e masakrave të Izraelit në Palestinë që nga 7 tetori 2023, në përgjigje të një ofensive të Hamasit dhe qëndron në mesin e pak vendeve që e njohin grupin e tij si një lëvizje rezistence.
Sipas mediumit turk, presidenti Rexhep Tajip Erdogan është gjithashtu “pionier i përpjekjeve për pajtimin midis Hamasit dhe al-Fatah, i cili mban Autoritetin Palestinez me qendër në Ramallah”.
Kohët e fundit, ai priti Haniyeh dhe Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas për bisedime të rralla të nivelit të lartë mbi këtë çështje.