Vrasja e Liridona Ademajt, u vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve
Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin, Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Kështu ka bërë të ditur për teve1.info, zëdhënësja për media në këtë gjykatë, Mirlinda Gashi.
Tutje, bëhëtë e ditur se Tom Dodaj personi që ia shiti armën Naim Murselit, është liruar nga paraburgimi dhe do të mbrohet në liri-sipas një vendimi të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është ndryshuar vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës.
”Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 23.04.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. e cila masë iu është llogaritur nga data 28.04.2024 deri me 27.06.2024″.
“Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit T.D, të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë dhe kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës me datë 17.04.2024 ka marr vendim dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, ashtu që të pandehurit T.D i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, Liridona u vra me armë zjarri në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar tre persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.