VRASJA E PEIZAZHEVE – GJIRI I ABAZIT

11 janar 2024 | 00:05

Shkruan: Ismail Syla

Danubi i fëmijërisë sime dhe gjithë mdrekajve deri më 1990 ka qenë Gjiri i Abazit në lumin Drenica, në fund të livadheve dhe arave të vendlindjes. Në anën tjetër ishin pronat e Zogëve dhe Bashotëve të Komoranit. Gjithmonë i është thënë gjiri dhe jo gjini vendit ku lumi i qetë kishte dy vende të përshtatshme për notim: cektinën dhe thellësinën. Të gjithë brezat e të dy anëve të Gjirit, aty kam mësuar notin. Thellësina ishte krenaria e gjirit, ndërsa cektina pika fillestare ku në katër metra gjatësi bëheshin ushtrimet e para të notit. Shtrati i lumit prej dheu bënte që uji të turbullohej shpejt, por askush nuk ankohej. Nëse kishte vend ku zemra dilte prej kraharori dhe i printe trupit, ishte marrja e rrugës drejt Gjirit të Abazit. Kur mësohej noti mirë, të kërcyerit nga bregu në thellësinë ishte kryevepra e notimit. E ata më të guximshmit, hipnin në shelgje dhe nga degët e saj hidheshin në ujin gjysmë të turbullt.

Kur ndodhi tubëzimi i tokave përmes komasacionit, një formatim i kushtëzuar nga sistemi i ujitjes përmes rrjetit të tubacioneve nëntokësore të kompanisë “Ibër Lepenc” gjarë viteve 1980, shtrati i lumit Drenicë pësoi ndryshim. Nuk vonoi dhe rrjedha e lumit e shmangu kthesën e gjirit dhe u hap shtrati i ri më afër xhadesë që lidhte Komoranin me rrugën e Carralevës. Shelgjet u prenë, uji i rrjedhshëm u ndal. Brenda një kohe të shkurtër vdiq Gjiri i Abazit me dy segmentet: thellësinën dhe cektinën. Si sot e atë ditë e mbaj mend kur për herë të parë më futi në ujë kushërir më i moshuar, Selveri, që më udhëzoi t’i mbyll hundët dhe të zhytem në ujë. Pastaj ditë pas dite aty mësova notin.

***
As në fëmijëri, as në rini nuk kisha shkuar kurrë në Ulqinin legjendar për veruesit e Kosovës. Për herë të parë në këtë qytet shqiptar zbrita nga dera e helikopterit qeveritar që fluturoi nga Podgorica mbi Liqenin e Shkodrës dhe aterroi në një fushë futbolli, si anëtar i një delegacioni shtetëror të Kosovës, në muajin nëntor 2015. Gjatë një shëtitje të shkurtër kur kuptova se cili ishte plazhi i vogël, u zhgënjeva. Jashtë vapës së verës plazhet e zbrazura janë gjëja më banale në bregdete. Te plazhi i madh nuk shkova. Besoj se edhe aty do të zhgënjehesha krahasuar me thellësinën dhe cektinën e Gjirit të Abazit.

BREGU I PAILLËS

Bregu i Paillës është pjesa më e afërt e lumit Drencë me rrugën kryesore, ku fillon zona e banuar e Komoranit. Një vig mbi lumë me vite ka shërbyer për të kaluar mbi të dhe po të ecej përmes livadheve shkurtohej në hiptenuzë rruga që shpie në Ndrekaj dhe anasjelltas. Kur kishte ndonjë vërshimë uji dhe rrëzohej trupi i ndojnë shelgjeje, për vite të tëra ai trup përdorej si vig. E kush nuk ka kaluar te Pailla me vite e vite.

Në Komoran, pazari i kafshëve ka lëvizur shpesh lokacionin, herë në qendër, afër Zyrës së Vendit, herë afër ambulancës. Një kohë të gjatë ky pazar u vendos te Pailla dhe e shëmtoi tërëisht bregun e saj. Çdo të shtunë aty therreshin dhjetëra kafshë. Kasapët me skele zinxhirësh, me kosa e thika prenin, ripnin dhe copëtonin kafshët pa pikë mëshire. Pëlëndësat, thundrat dhe mbetjet e kafshëve hidheshin në rrëpirën e bregut dhe sa nuk preknin ujin. Kur prishej pazari, bregun e Paillës e merrnin në dorëzim qentë endacakë.

***
Në vigun te Bregu i Pailës kam kaluar shpesh, sidomos në mot të thatë. Duke udhëtuar këmbë pesë likometra, në kokë më kanë lindur dhjetra qeliza krijuese. Disa nga prozat lirike të botuara në librin “Tempulli i Braktisur” kanë lindur gjatë rrugës që bëja. Njësia “Skulptura” lindi afër Paillës. Një orë udhëtim Ndrekaj – Komoran dhe anasjelltas e kam mposhtur me ritmin e të menduarit. Këtë rrugë sot e bëj me makinë aq sa zgjatë një këngë e Marie Krajës në kasetofonin e veturës sime, ose aq sa zgjarë një këngë e Dafina Zeqirit në kasteofonin e veturës së djalit tim P. Para disa vitesh pazari i kafshëve u zhvendos në një pllajë afër Sankocit.

Bregu i Paillës u privatizua a çfarë ndodhi me të nuk e di. Tashmë nuk e shoh fare. Një pronar i ri e ka bërë oborr shtëpie të rrethuar me mure. Pailla vdiq.

BETONI I SKËNDERAJT

Kushdo që ka kaluar nëpër rrugën e asfaltuar që shpie nga Drenasi në Skënderaj, pikërisht në mes pjesës në krye të Polacit tatëpjetë dhe hyrjes në qytetit, nga ana e majtë ka parë një mur mbrojtës të betonit. Muri për mbrojtje të shkarjes së dheut në rrugë, njihej gjerësiht “Te Betoni”. Gjatë tregimeve, rrëfimeve, përshkrimeve dhe intervistave të shumë komandantëve të UÇK-së, të ushtarëve, luftëtarëve, doktorëve, veteranëve dhe bashkëluftëtarëve të hershëm të komandantit Adem Jashari ky emër përmendet si pikë referimi i kalimit të tij nga njëra anë në tjetrën për të pritur sulmin mbi patrullat e policisë serbe, për t’i ikur takimit me patrullën e policisë serbe, ose kur është kryer ndonjë aksion nga njëra anë dhe është trupuar rruga “Te Beton”, kur është kaluar andej gjatë përleshjes së aksh njeriu me policët me helikopter mbi kokë etj. etj. Nuk ka veprimtar, veteran, luftëtar të orëve të para të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nuk ka kaluar ose afër, ose më larg ose pranë pikës gjeografike “Te Betoni”.

“Te Betoni” është pikë referimi e prishjes së makinave, e ndeshjeve, e më vonë edhe e hapjes së bizneseve të vogla pak më lart se “Te Betoni”, më poshtë se “Te Betoni”, në lug “Te Betoni”. Me rastin e zgjerimit të rrugës në hyrje të Skënderjt, pikërisht nga rrethrrotullimi i vogël në krye të Polacit, ku ngjitur me të është ndërtuar një pompë e karburantit, nisi zgjerimi dhe më tutje edhe rrënimi dhe heqja e betonit.

Sa herë që lëshohem me makinë në tatëpjetën, hedh shikimin mos po e shoh Betonin para Skënderajt. Është mëkat që nuk u ruajt një fragment nga vendi “Te Betoni” ose sl paku të ngrihet një pllakë, e aty ku ra betoni, të shënjohet emri legjendar i kësaj pike orientuese para, gjatë dhe pas luftës.

P.S.

Secili njeri ka pika orientimi në natyrë, mikrotoponime, ngrehina muresh e kullash, brigje e lugina që e lidhin kujtime të caktuara. Më ka rënë të dëgjoj njerëz që qajnë me lot zemre vrasjen e peizazheve. Si t’ia heqësh një pjesë trupi e përjetonte njëri rrënimin e majës së Gurit të Raçakut në njërën grykë të maleve të Ndrekajt, kur Reshat Furtuzi vetëm për të provuar fuqinë e qysqisë dhe të pykave metalike ia kish rrokullisur majën e majës. Tjetri qante gurët e marrë në rrënojat e kishës në Lugun e Kishës të Ndrekajt, gurë të gatshëm për të ndërtuar mure shtëpish private. Një tjetër fliste për Çukën e Komoranit, pikë ushtarake nga ku forcat e artlerisë serbe kontrollonin horizontin prej kurrizit të Kozmaçit deri në Pjetërshtinë. Gëzohet që tashmë Çukën e ka mbuluar bari dhe shkurret, por ma të zezë se Çukën e quante plagën e gurëthyesit që ka hapur qafë të re më tutje diku në kodër. Edhe klimën e Drenicës e ka ndyshuar ngrënia e bjeshkës, thoshte njeriu me mllef të brendshëm që i deite herë si avull e herë si ofshamë.

Vërejtje:

“Te Pompa e Ibër Lepencit”, ndërmjet Bashotëve e Fushticës quhet tashmë vendi që në vitet gjashtëdhjetë të shekullit njëzet quhej “Rrezja e Evgjitëve”. Në fakt një grup i vogël evgjitësh kishin ndërtuar kasolle me basa dheu në një pllajë të zhveshur. Me ta marrë dielli kasollet e tyre e deri në mbrëmje kishin mjaft dritë e diell bashkë. Duke qenë se Drenica ishte e shtypur dhe e varfër pas Luftës së Dytë Botërore, evgjitët e braktisën Rrezen e tyre dhe u vendosën në Fushë Kosovë. Pompa e mundi Rrezen.

Prishtinë, 10 janar 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i klubit futbollistik “Suhareka” që garon në Ligën e…