Vrasja e policit në Fier, Policia: 30 mijë euro për çdo informacion
Policia e Shqipërisë ka vendosur një shpërblim prej 30 mijë euro për këdo që jep informacion që mund të çojë në kapjen e Asllan Mernica, autorit të vrasjes së policit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, në fshatin Baltëz të Fierit.
Drejtori i policisë së qarkut Fier, Lorenc Panganika ka përjashtuar pistën e hakmarrjes gjatë një prononcimi për media, ku tha se shkaku ka qenë nje konflikt i çastit.
Në momentin e ngjarjes polici ishte jashtë shërbimit, por i veshur me uniformë policie, duke shkuar për të marrrë turnin.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, vrasja ndodhi pas një debati të çastit që polici pati me shtetasin Asllan Mernica.
Ky i fundit ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Policia bën me dije se po punon për kapjen e autorit dhe ka vendosur një shpërblim prej 30 mijë euro për këdo që do të japë informacion që mund të çojë drejt arrestimit të tij.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.
Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.
Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”, njofton policia.