Vrasja e policit në veri, reagon Kurti: Sulm kriminal e terrorist, kriminelët do të kapen

24 shtator 2023 | 07:41

Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë.

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj këtij sulmi, duke e quajtur sulm kriminal e terrorist.

Ai ka theksuar se sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B.

Ndërkaq sipas Kurtit, polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

“Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se rreth orës…