Vrasja e trefishtë në Deçan, Mehmetaj: Vrasësi s’është nga familja ime, Prokuroria s’ka asnjë provë
Malsor Mehmetaj nga fshati Gllogjan i Deçanit është shprehur i bindur se vëllezërit e tij Kastrioti, Kreshniku dhe babai Halili të cilët po akuzohen nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e trefishtë në vitin 2021 janë të pafajshëm.
Por, ai thekson se tash është në dorën e Gjykatës për të vendosur, teksa potencon që dorasi nuk është nga familja Mehmetaj.
“Uroj që ai dorasi të gjendet sa më parë, familjarët e mi nuk kanë gisht në këtë punë”, tha ai për Albanain Post.
Mehmetaj, pretendon se gjatë vitit të kaluar u rrah nga disa zyrtarë policorë, vetëm pse kishte kërkuar që polica të mos bëjnë më roje tek shtëpia e tij, ku kishin qëndruar një kohë të gjatë pas vrasjes së trefishtë.
Megjithatë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka pushuar hetimet për mungesë të provave, derisa policët kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj Mehmetajt për pengim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.