Vrasja e trefishtë në Kaçanik, dëshmitarët thonë se tani i ndjeri N.B. u kishte thënë se po e përcjell njëri nga të akuzuarit
Në gjykimin ndaj Afet dhe Agron Dalloshi, të akuzuar se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona dhe e kishin lënduar një tjetër, dëshmitarët Isa Vishi dhe Agim Baftiu kanë thënë se tani i ndjeri N.B. iu kishte thënë se atë po e përcjellë tani i akuzuari Afet Dalloshi.
“2-3 ditë para rastit N.B ka qenë tek unë edhe gjatë bisedës ai më ka thënë , “Agim mua janë ka më përcjellin nuk kam asgjë me ta” e unë kur e pyeta kush, ai tha “kerri i Afet Dalloshit”, deklaroi dëshmitari Agim Baftiu.
Dëshmitari Vishi tha se, “Para vrasjes jam takuar me N.B, i njëjti më ka thënë se janë duke e përcjell, e ka përmendur Afet Dalloshin”.
Tutje, dëshmitari Vishi tha se arsyen se pse po e përcillnin atë nuk ia kishte thënë.
“Ka po shkojmë po na përcjellin, por nuk më ka thënë arsyen pse po e përcjellin”, tha dëshmitari Vishi.
Sipas tij, ata kishin pasur konflikte por, për të njëjtat ai tha se nuk është në dijeni.
Dëshmitari Vishi, tha se nuk është në dijeni se kush e ka kryer vrasjen e trefishtë, duke shtuar se nuk ka qenë në ngjarje.
Lidhur me këtë rast, dëshmitari Baftiu tha se ka kishte dhënë deklarata edhe me parë si në EULEX, UNMIK dhe në Burgun e Dubravës e të cilave deklarata ai tha se edhe tani ju përmbahet të njëjtave.
Baftiu po ashtu ka thënë se, pas vrasjes së trefishtë ka pasur kontakt me tani të akuzuarin Afet Dalloshin, të cilit ia kishte rregulluar veturën e markës Golf 3 ngjyrë e bardhë, e që për të cilën veturë sipas tij, bëhej fjalë se gjoja po e përcjell N.B.
“Dhe pas disa ditësh tek sheshi i flamujve- “Te Lushi”, e kam pyetur Afetin kush e ka pas kerrin tënd natën kritike, Afeti më ka thënë “nuk jam i sigurt nëse e kam pasur unë apo Agroni”, ka thënë tutje dëshmitari Baftiu.
Sipas dëshmitari Baftiu, Afeti i kishte thënë se nuk ka lidhje asgjë me rastin.
“Kur Afeti ka ardh me marr veturën e ndrequr kemi biseduar, ai më ka thënë “Agim unë nuk kam lidhje asgjë me rastin e juve që ka ndodhur, të garantoj në qoftë se kam diçka lidhur me këtë hajde serbez tek shpija vrajem, sepse nuk kam dijeni për këtë”, deklaroi Baftiu.
Gjatë kohës së ngushëllimeve për tani të ndjerët, dëshmitari Baftiu tha se, janë përmendur shumë emra si kryerës të mundshëm të veprës penale si: Xhabir Zharku, Nysret Cena, Afet Dalloshi, Agron Dalloshi, Besnik Hasani Shpend Qerimi, mirëpo shtoi se nuk është në dijeni nëse këta persona e kanë kryer vrasjen.
“Por unë nuk e di se nëse këta persona e kanë kryer vrasjen sepse me pas dit ndoshta nuk do isha këtu”, tha Baftiu.
Në këtë seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarët, Kadri Brahimi dhe Berat Baftiri.
Dëshmitari Brahimi i cili njëherit tha se ka qenë shok me tani të ndjerin N.B, deklaroi se i ndjeri N.B. ka pasur telashe me Nysret Cenen dhe Afet Dalloshi ndërsa sipas tij, me Agron Dalloshin nuk kishte dëgjuar që ka pasur telashe.
E këto telashe, sipas Brahimit kanë pasur lidhje me një veturë, përkatësisht një borxh për Nexhat Koxhën.
Tutje, dëshmitari Brahimi tha se ka ndodhur që ndonjëherë tani i ndjeri N.B. të ketë kërkuar ndihmë për ta përcjellë nga Ferizaj deri në fshatin Dubravë, pasi që sipas tij i ndjeri N.B. dyshonte se ishte i rrezikuar nga emrat e përmendur më lartë.
“N.B ka pasur frikë sepse ka parë diçka lëvizje, ka dyshuar, e ka parë dikë, ai e di kënd e ka pa, ku di unë dhe mua më ka thënë që ta përcjell deri tek shtëpia, unë e kam përcjell deri tek shtëpia dhe asgjë nuk ka ndodhur gjatë rrugës, N.B ka qenë me veturën e tij përpara ndërsa unë me Hajredin Shahinin me veturën time i kemi shkuar nga mbrapa deri në fshatin Dubravë deri tek shkolla”, tha po ashtu i njëjti.
Brahimi mohoi të ketë pasur ndonjëherë kërcënime nga Nysret Cena e Afet Dalloshi.
Ai tha se nuk është në dijeni se kush e ka kryer vrasjen e trefishtë.
Ndërsa, dëshmitari Berat Baftiri tha se për këtë çështje kishte biseduar me personin Ramiz Tusha, i cili i kishte thënë se i ka parë dy persona tek Ura e Lepencit.
“Po, për ketë çështje kam biseduar me Ramiz Tushën, i cili më ka thënë i kam parë dy persona tek Ura e Lepencit, të veshur me tesha të zeza, dhe i ka parë vetëm nga mbrapa dhe se nuk e ka ditur se kush kanë qenë ata”, deklaroi Baftiri.
Sipas tij, kur kishte qenë bashkë me Ramiz Tushën në një lokal, tek i cili lokal kishte ardhur Shpend Qerimi, Ramiz Tusha i kishte thënë për Shpend Qerimin se dyshonte se ky është personi që e kishte parë tek ura.
“Po në atë takim në lokal ka ardhur edhe Shpend Qerimi, unë kam qenë me Ramizin me një tavolinë të njëjtin e kam pyetur: A mos po i njeh atë- Shpendin? Ai më ka thënë se ka ana e shpinës dhe flokët e shkurta që i ka pasur, dyshoj se ky është personi që e ka parë të ura”, ka thënë dëshmitari Baftiri.
“Unë kam qenë në sallë gjatë këtij gjykimi kur Ramizi Tusha ka thënë se gjëja se unë i kam thënë se qeky është Shpendi, ajo nuk është e vërtetë”, ka thënë tutje Baftiri.
Tutje, Baftiri tha se Ramiz Tusha i kishte thënë se tek Ura ku ka ndodhur ngjarja, para ngjarjes e ka parë një veturë të tipit Audi A6 apo A4 nga e cila kanë zbritur dy persona.
Seanca e radhës për këtë çështje u caktua më 1 shkurt 2023.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena për veprat penale të vrasjeve, kurse Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtator 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.
Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e ka cilësinë e të akuzuarit.
Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një femër, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.
Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të borisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.
Tutje, thuhet se N.B., është goditur me shumë predha në anën e djathtë të trupit dhe me një predhë në anën e djathë të kokës dhe ka ardhur deri te vdekja e tij, ndërsa S.B. dhe U.B. për shkak të dëmtimit të zemrës, mushkërive dhe mëlçisë kanë vdekur, ndërsa Bujar Baftiu nga predha e goditur ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë, kurse Sadik Baftiu ka shpëtuar i pa lënduar.
Me këtë, të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, në bashkëkryerje me të akuzuarit Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe Nysret Cenën sipas aktit akuzues kanë kryer veprat penale: të vrasjes së rëndë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3.9 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3 e 11 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.
Në dispozitivin e dytë, të akuzuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi akuzohen se më 27 dhe 29 shtator 2007, pa autorizim kanë poseduar dhe bartë çdo njëri nga një pushkë automatike “AK-47”, me ç’rast me ndihmën e tyre, tek ura e lumit Lepenc në fshatin Soponicë, privuan nga jeta N.B., S.B. dhe U.B., kurse tentuan të privojnë nga jeta edhe Sadik dhe Bujar Baftiun.
Me këtë sipas aktakuzës, kanë kryer çdo njëri veç e veç veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së, raporton betimipëdrejtesi.