Vrasja e ushtarëve shqiptarë në ushtrinë jugosllave – plagë e rëndë që kërkon drejtësi

28 mars 2025 | 14:50

Shkruan: Musa Gashi


Gjatë viteve 1981-1991 nga ushtria Jugosllave e asaj kohe u kthyen në arkivol hiq më pak se 120 ushtarë shqiptarë, dhe shënimi zyrtar nga eprorët ushtarak për mënyrën e vdekjes – vetëvrasje.
Kjo çështje sa e ndjeshme dhe e diskutueshme, ishte e lidhur ngushtë me tensionet etnike dhe politike që ekzistonin në atë kohë.
Të gjithë të rinjtë në atë kohë, pas përfundimit të shkollës së mesme, ishin të detyruar të kryenin obligimin ushtarak, që ishte në kohëzgjatje 12-18 muaj, dhe atje kishte ushtarë të etnive të ndryshme, përfshirë shqiptarë nga Kosova dhe pjesët tjera të ish-Jugosllavisë.
Tensionet ndër etnike dhe kërkesat në rritje për më shumë autonomi të Kosovës në vitet 80-ta, si duket ndikoi edhe në situatën e ushtarëve shqiptarë që në atë kohë shërbenin në ushtrinë jugosllave. Ushtarët shqiptarë ishin shpesh subjekt i diskriminimit, marrjes ne pyetje e maltretimit, gjykimit e burgosjes, por edhe veprimeve të dhunshme nga kolegët e tyre serbë por edhe të etnive tjera, që përfshinte sulme fizike e lëndime trupore, por edhe vrasje.
Shumë prej këtyre ngjarjeve të pazakonta që ndodhën në ushtrinë Jugosllave në atë kohë mbeten të paqarta dhe nuk kishte informacione të mjaftueshme për to për shkak të censurës nga autoritetet e asaj kohe.
Edhe pse kufomat ktheheshin në arkivol të mbyllur, kur familjarët i hapnin në trupin e të vdekurve vërenin më shumë se një plagë dhe natyrisht kishin arsye të mos besonin në versionin zyrtar për vetëvrasje.
Kam pasur rast të bisedoj disa herë me kolegun tim dr. Gani Morina, i cili më tregonte për vëllain e tij Hakiun, të cilin e kishin kthyer në arkivol disa oficerë ushtarak. Ata nuk e kishin dorëzuar kufomën tek familja e te njërit, por atë ua kishin dorëzuar disa fshatarëve pa ndonjë sqarim. Familjarët e kishin hapur arkivolin dhe kishin vërejtur plage te shumta ne trupin e Hakiut, dhe përkundër kërkesës me avokat për te patur sqarime nga autoritetet ata nuk kane marr kurrë një përgjigje për këtë .
Ngjarjet e mëvonshme sikur e lanë nën hije paksa këtë plagë që kullonte gjak, por e drejta për familjarët e këtyre të rinjve shqiptarë për të ditur se çka ka ndodhur me bijtë e tyre të cilët i kanë dërguar në ushtri, në vazhdimësi u është mohuar.
Sipas konventave ndërkombëtare i vdekuri duhet të trajtohet me dinjitet, dhe institucioni ku ata kanë gjetur vdekjen ka obligim të jep sqarimet e nevojshme për familjarët. Familjarët kanë të drejtë të kërkojnë dhe të dinë gjithçka që ka ndodhur me bijtë e tyre.
Për këto raste tani familjarët kanë nevojë për ndihmën e shtetit.
Këto raste kërkojnë drejtësi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi saudit, Al-Hilal synon Nicolo Barellan për të përforcuar skuadrën…