Vrasja në Gjilan, Haradinaj mohon që polici ishte pjesë e mbrojtjes së tij
Kryeministri i Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj ka mohuar se polici që kreu vrasjen në Gjilan ishte pjesë e mbrojtjes së afërt të tij.
Një pjesë e mediave raportuan se polici V. H., që vrau një qytetar sot në Gjilan, ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes së afërt së Haradinajt.
Por, Haradinaj thotë se qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’i pengojë shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin e tij.
“Përkundër që ne e dënuam vrasjen e një qytetari nga ana e një polici, bëmë thirrje për organet e rendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe sqaruam që polici në fjalë, asnjëherë nuk ishte pjesë e ekipit tim të mbrojtjes së afërt, disa mediume, të shtyrë nga propaganda e politikës së ndarjes, vazhdojnë ta etiketojnë dorasin si person të afërt me emrin tim”, ka shkruar Haradinaj në profilin e vet në “Facebook”.